“Vjosa n’fest”/ Aktivitete të shumëllojshme në Përmet, ‘perlën’ e turizmit shqiptar

40

Përmeti, i cilësuar si ‘perla’ e turizmit shqiptar është vendi ideal për pushime dhe aventura familjare, pasi kombinon ecjen në kanion, lundrimin e lumit me gomone apo kajak dhe climbing.

Ditën e djeshme nisi në Përmet aktiviteti “Vjosa n’fest”, i cili do të zhvillohet deri në 29 maj. Tre ditë festë me panaire, muzikë , sport, argëtim, kulinari do të ketë për qytetarët përmetarë dhe vizitorët vendas e të huaj që ndodhen këto ditë në Përmet. Aktivitetet do zhvillohen në natyrën fantastike të parkut më të ri të vendit tonë “Lugina e lumit Vjosa”.

Panairi i kulinarisë, që do të mbahet edhe në dy ditët e tjera në sheshin kryesor të qytetit ka gatime tradicionale të zonës së Përmetit dhe Ersekës.

Gjatë ditëve të aktivitetit ofrohen gjithashtu guida me motor në ujërat termale të Bënjës, ku mund të provohet një aventurë e paharrueshme dhe ndër më të veçantat si kurrë më parë në Shqipëri.

Pjesë e aktiviteteve është edhe rafting për të gjithë të apasionuarit pas natyrës së egër dhe që pëlqejnë aventurën, adrenalinën dhe sportet në natyrë. Qytetarët u argëtuan me ngritjen e balonave, si dhe me muzikë dhe vallet tradicionale të zonës.

Lugina e Vjosës karakterizohet nga veçori të shumta natyrore si rrjedha të rrëmbyeshme, kanione, burime uroje, ishuj dhe kthesa që krijojnë gjarpërime të mrekullueshme, peizazhe panoramike të papërsëritshme, fshatra karakteristikë, etj.

Gjatë viteve të fundit turistët kanë gjithnjë e më shumë një trend në rritje për të vizituar Përmetin, që ruan në territorin e tij destinacione të rëndësishme të ekoturizmit, turizmit të aventurës me biçikletë, hiking dhe atë lumor.

Në këtë qytet gjenden parqe të mëdha natyrorë, lugina me lëndina të bukura e shumë monumente natyrore, kulturore e pika turistike, të cilat vlejnë të vizitohen e të shikohen nga afër.

Një vend të veçantë zënë kishat si ajo Shën Kollit, Kisha e Shën Premtes, Kisha e Shën Mërisë në Bënjë, Kisha e Shën Mërisë në fshatin Kosinë, Kisha e Shën Mërisë në fshatin Leusë.