Vjosë-Nartë, një ndër zonat më të rëndësishme në Shqipëri për folezimin e shpendëve të ujit (FOTOT)

12

Gjatë ditëve të fundit, Shoqata Ornitologjike e Shqipërisë (AOS) punoi me intensitet për të sjellë të dhëna mbi shpendët e ujit folezues të zonës Vjosë-Nartë.

Ekipi kontrolloi çdo trup ujor si dhe mjedise të tjera të përshtashme për folezim përfshirë ishuj të vegjël, diga, kanale kullues, basene peshkimi dhe basene të kripores.

“Rezultatet për zonën janë si kurdoherë shumë interesante. Më poshtë po paraqesim vetëm të dhënat për shpendët e ujit folezues që formojnë koloni të bujshme: sqepbiza me 305-320 çifte folezuese; dallëndyshe deti ballëbardhë me 175-185 çifte; dallëndyshe deti me 15-20 çifte tani për tani; dallëndyshe deti e zakonshme me 10-12 çifte dhe dallëndyshe deti këmbëzezë 5-7 çifte”, – tha AOS.

Në dy javët në vijim, AOS dhe partnerë të tjerë do të kryejnë të tjera vrojtime për shpendët folezues të zonës për të saktësuar edhe më tej gjetjet e para për shpendët kolonialë.

Po kështu do të analizohen dhe të dhënat për folezuesit territorialë sikurse rosa laramane, kuqla qafëgjelbër, kredharaku i vogël, vrapuesi gushëbardhë, vrapuesi i vogël, gjelaci symadh, kalorësi, Pulujza etj.

Mbështetur në të dhënat shumëvjecare, Narta e sidomos Kriporja e Skrofotinës është pa dyshim një ndër zonat më të rëndësishme në Shqipëri për folezimin e shpendëve të ujit.

Aktiviteti i mësipërm u krye në kuadër të veprimtarisë monitoruese të AOS për shpendët e ujit folezues në ligatinat kryesore të vendit.

Ky monitorim është vijim i punës së mëparshme të nisur që prej vitit 1995 nga ornitologë të AOS në kuadër të skemës për monitorimin e shpendëve të ujit folezues si dhe raportimeve ndërkombëtare më të fundit sikurse Atlasi Europian i Shpendëve Folezues 2, Libri i Kuq i Shpendëve të Europës etj.