Vlerat e jashtëzakonshme/ Pse çaji i maleve të Shqipërisë është pija numër 1 gjatë dimrit

37

Tokat shqiptare janë të bekuara me thesarin natyral të bimës madhështore të Çajit të Malit. Nuk është aspak çudi që jo vetëm vendasit, por edhe të huajt që takojnë kulturën shqiptare mbeten të mahnitur nga kura e shpirtit siç shpesh e quajnë zakonin e të pirit të çajit avullues të malit shqiptar. Diçka është e sigurt, asnjë vend në botë nuk prodhon këtë cilësi bime, si kjo jona.

Sipas burimeve, kërkesat e tregjeve të huaja për varietetin shqiptar, Sideritis Raeseri janë në kulmin e tyre. Çaji i Malit shqiptar të humbet mendjen me aromën unike, të përfshin në nostalgjinë e kohëve të kaluara dhe të ringjall ndjesitë e plota të shijes. Çaji i Malit është një nga produktet më të kërkuara në të gjitha komunitetet shqiptare që jetojnë në Evropë, Amerikë dhe deri në Australi.

Por shpesh edhe tregu vendas gjendet pothuajse bosh nga kërkesa e madhe për çaj mali. Zakoni i shqiptarëve është grumbullimi dhe blerja e sasive të mëdha të çajit të malit gjatë verës dhe fillim vjeshtës, për ta përdorur të ngrohtë deri në pranverë. Mungesa e çajit të malit në treg i lë të apasionuarit pas tij të varen tek bustinat me çaj pluhur pudër plot me kimikate aromatike!

Vlerat e Fuqishme të Çajit të Malit
Çaji i Malit ndihmon me shëndetin e aparatit tretës dhe përmban antioksidantë natyralë.

Plot me flavonoidë dhe antioksidantë
Studiuesit kanë zbuluar se bimët e familjes Sideritis përmbanin substanca të rëndësishme që luftonin mikrobet dhe infeksionet. Të gjitha këto bimë përmbanin vajra esencialë.

Ul tensionin e gjakut
Një studim i fundit zbuloi se ekstraktet që vinin nga familja e bimëve Sideritis ulnin nivelet e tensionit të gjakut dhe qetësonin enët e gjakut. Studimi i kryer ka nxjerrë në pah se doza domethënëse të ekstrakteve në fjalë ndihmonin në zgjerimin e enëve të gjakut. Gjithashtu në uljen e tensionit të gjakut dhe uljen e presionit ndaj zemrës.

Studimet gjithashtu konfirmuan rolin pozitiv të këtyre bimëve për shëndetin e zemrës. Megjithatë, studime të mëtejshme janë të nevojshme përpara se çaji shqiptar i malit të merret në konsideratë për trajtimin e sëmundjeve të zemrës.

Mbron sistemin tretës
Studiuesit zbuluan se pirja e çajit të malit nga bima e Sideritis ulte inflamacionin në sistemin tretës. Kjo ndodh falë pranisë së fenolëve dhe antioksidantëve që gjenden natyralisht në këto bimë. Studiuesit zbuluan gjithashtu se inflamacioni dhe toksiciteti uleshin për një periudhë afatgjatë. Kjo si pasojë e aftësive mbrojtëse të çajit shqiptar të malit.

Përgatitja e çajit shqiptar të malit
Përgatitja e çajit të malit kërkon përdorimin e luleve, kërcenjve dhe gjetheve të plota të të gjithë bimës. Ju mund t’i hidhni ato në ujë të nxehtë dhe të ulni temperaturën, duke mundësuar zierjen e lëngut për 5 deri në 10 minuta. Shija e këtij çaji është tokësore, por nëse përdorni lulet, do të ndjeni edhe aromën e tyre. Këtij çaji mund t’i shtoni mjaltë dhe limon sipas dëshirës. Në malet e Shqipërisë rritet varieteti Sideritis Raeseri. Ky lloj nuk duhet ngatërruar me specien Sideritis Syriaca, e cila gjendet në të gjitha vendet e Mesdheut dhe të Ballkanit.