Vlonjatja që ka përfituar një bursë nga gjiganti Google

253

Emri i saj u përmend disa muaj më parë gjatë një aktiviteti në Tiranë pasi ishte një nga studentet që ka përfituar një bursë nga gjiganti Google.

Ajo quhet  Sindi Shkodrani.

Pesë vite më parë, ajo zgjodhi të largohej nga Vlora për të ndjekur studimet jashtë vendit. Si një nxënëse që nuk njihte notë tjetër veç dhjetës, nuk e kishte shumë të vështirë të fitonte një bursë në një nga universitetet më të mira, jashtë.

Zgjodhi të studiojë Shkenca Kompjuterike për të qenë afër asaj çka e donte më shumë; matematikës.

Pasi përfundoi studimet për Shkenca Kompjuterike, zgjodhi t’i hyjë një tjetër sfide për veten, duke studiuar Inteligjencë Artificiale në Amsterdam.

Sot ajo është në vitin e parë në këtë degë.

Puna sistematike mbi libra, pjesëmarrja në aktivitet, u shpërblyen shumë shpejt.

Vitin e kaluar rezultoi fituese e bursës së quajtur “Anita Borg” nga Google dhe jepet për femrat e suksesshme që studiojnë Informatikë ose degë të ngjashme.

U përzgjodh midis 40 studenteve nga rreth 8 mijë aplikuese nga gjithë Europa.

“Bursa e Google quhet Anita Borg dhe jepet për femrat e suksesshme që studiojnë Informatikë ose degë të ngjashme. U përzgjodha midis 40 studenteve nga rreth 8 mijë aplikuese nga gjithë Europa. Një tjetër shqiptare që studion në La Sapienza, Erisa Terolli e fitoi këtë burse në të njëjtin vit. Prej rezultateve në mësime në universitet dhe pjesëmarrjen në evente të ndryshme u zgjodha për këtë bursë, e cila jo vetëm më mundësoi vazhdimin e studimeve Master, por ishte edhe një mënyrë e mirë kontakti me shumë femra të tjera të mrekullueshme rreth botës.

Pas bursës, me tre vajza të tjera jemi duke krijuar një projekt të mbështetur nga Google për të inspiruar studentet femra në gjimnaz të cilat duan të dinë më tepër për Informatikën. Projekti është i përkthyer edhe ne shqip dhe mund të gjendet në www.mecodeprogram.com”, thotë ajo për gazetën Dita.

“Kur isha 5 vjeç e më pyesnin çfarë do të bëhesh kur të rritesh, u thosha shkencëtare. Sado qe nuk e kisha idenë për çfarë po flisja, dëshira për të pasur mundësinë e të bërit gjëra të mëdha për njerëzit, për botën, ishte aty”, thotë ajo në një intervistë për gazetaren Entela Resuli të Ditas.

Paçka rezultateve të shkëlqyera në mësime ajo nuk harron të theksojë se, të rëndësishme janë dëshira për dije, pasioni për degën e preferuar dhe të shijosh studimin sepse po bën diçka për veten, jo thjesht për të pasur një diplomë…

sindi sindi-1 sindi-2

Burimi: Tema