Vlora pret 167 turistë të huaj me kroçerën “La Belle Dell’Adriatique”

3

Në portin e Vlorës u ankorua sot kroçera “La Belle Dell’Adriatique”, me 167 turistë në bord.

“La Belle Dell’Adriatique”, e cila që prej disa vitesh është bërë pjesë e guidave turistike detare drejt porteve shqiptare, mbërriti paraditen e sotme në portin e Vlorës.

Lajmin e bëri të ditur kapiteneria e portit të Vlorës, e cila informoi se kroçera u ankorua  mëngjesin e sotëm, në orën 07:15.

Edhe pse sezoni veror ka përfunduar, sërish mbetet i lartë numri i vizitorëve të huaj në vend.

“La Belle Dell’Adriatique” sjell në vendin tonë 167 turistë nga vende të ndryshme si Franca, Kanadaja, Zvicra, Belgjika, Britania e Madhe, Maroku etj.

Kroçera vjen nga porti i Dubrovnikut dhe do të qëndrojë 1 ditë në portin e Vlorës, ku do të zhvillojë ture të ndryshme dhe më pas do të niset për në portin e Korfuzit.

Autoriteti Portual Vlorë ka marrë të gjitha masat për zbatimin e protokolleve shëndetësore, si dhe ka krijuar të gjitha kushtet për sigurinë edhe lëvizjen e turistëve në territorin portual.