Vlora rajon i rëndësishëm në eksportin e vajit të ullirit

4

Vlora, është qarku ku kultivohen sipërfaqet më të mëdha të pemës së ullirit. Mbi 300 mijë rrënjë ullinj ndodhen gjatë gjithë zonës së kodrave në fshatrat e këtij qarku, ku spikasim Panajaja, Narta, Kanina, Bestrova,Trevllazër etj.

Qarku i Vlorës, renditet ndër vendet e para, në shkallë vendi në prodhimin e ullinjve dhe eksportin e vajit të ullirit.

E gjithë Riviera dhe jugu i Shqipërisë ka pasur vitin e fundit, prodhim të bollshëm të ullirit, ndërsa përmirësimi i cilësisë po jep rezultate edhe në rritjen e eksportit të vajit të ullirit.

Për periudhën janar -qershor 2023 sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë u eksportuan 1,400 ton vaj, kundrejt 326 ton vaj që u eksportuan në total në 2022. Krahasuar me 2022 eksportet deri në muajin qershor janë 3-fishuar.

Pas problematikës së mprehtë të vitit të kaluar ku fermerët u përballën me prodhim të lartë të vajit të ullirit dhe për shkak të mungesës së shitjes u detyruan ta magazinojnë në shtëpitë e tyre, Ministria e Bujqësisë parashikon të vijojë me strategjinë e mbështetjes për nxitjen e eksporteve, nëpërmjet zbatimit të 3 masave.

MBZHR synon të shtoj kapacitetet grumbulluese, depozituese, paketuese dhe etiketimin e vaji i ullirit, përmes mbështetjes nga programit IPARD III, që pritet të fillojë së shpejti, ku do të financohet grant 50% e vlerës së investimit për këto sektor.

Gjithashtu masë tjetër për kulturën e ullirit do të jetë edhe vazhdimi i organizmit të fermerëve për bashkimin e ngastrave me ullinj.  Ndërkohë për këtë vit parashikohet ngritja e laboratorëve të akredituar pranë Universitetit Bujqësor me qëllimin ofrimin falas së analizave për cilësinë e vajit të ullirit.

Që prej vitit 2010-të kultivimi i ullirit është shoqëruar me subvencione mbështetëse për rreth 450 fermerë që kanë përfituar.

Aktualisht prodhimi i ullirit ka arritur në 12.000 tonë nga 7.000 mije që ka qënë një vit më parë, nga të cilat rreth 50% shkojnë për eksport.

Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural bëri të ditur se më shumë se 100 000 fermerë janë të angazhuar në kultivimin e ullinjve, ku prej vitit 2014, kultura e ullirit është financuar nga Skema Kombëtare e Mbështetjes, por edhe programi IPARD II.

Investime janë kryer në linja standardizimi, përpunimi, ambalazhimi dhe konservimi të ullirit, gjithashtu në ndërtim magazinash, fabrika apo makineri për përpunimin e vajit. Në Skemën Kombëtare 2022, në sajë të masës për mbështetje me naftë, janë subvencionuar punimet për një sipërfaqe prej 7000 ha ullinj, mbështetje e cila vazhdon edhe këtë vit.

Varietet e ullirit për vaj përfaqësojnë 87,60 % të prodhimit gjithsej dhe varietetet e ullirit për tavolinë përfaqësojnë 12,40 %.

Ullishtaria është kthyer në një sektor të rëndësishëm për ekonominë e vendit kjo edhe për shkak të politikave orientuese dhe ndihmuese të ndërmarra së fundi nga qeveria që po adreson mbështetje të prekshme për këtë sektor.

Shqipëria ka afro 11 milionë pemë ulliri, ku afro 8 milionë pemë llogariten në prodhim.

Krahas zgjerimit të sipërfaqeve të mbjella me ullinj, në vendin tonë është rritur ndjeshëm edhe prodhimi i vajit të ullirit.

Kultivimi i ullirit dhe prodhimi i vajit të ullirit është i bazuar kryesisht në biznese familjare. Shqipëria ka rreth 450 fabrika përpunimi ulliri për vaj ulliri, ndërsa konsumi i vajit të ullirit për frymë është afro 7.1 litra/vit.

Investimet në industrinë përpunuese të vajit të ullirit, kanë përmirësuar cilësinë e standardet e këtij produkti i cili tashmë është mjaft i kërkuar edhe për eksport edhe në tregjet evropiane.

/ata.gov.al