Vlorë, drejt përfundimit edhe segmenti i dytë i bulevardit “Ismail Qemali”

173

Në qytetin e Vlorës po punohet intensivisht në bulevardin “Ismail Qemali”, ku së shpejti pritet të hapet edhe segmenti i dytë i tij.

Ky investim do të jetë një nga më cilësorët dhe të rëndësishëm të realizuar ndonjëherë në qytetin bregdetar të Vlorës.

Bashkia e Vlorës bën të ditur se ditët e fundit është hedhur shtresa e parë e asfaltit në këtë segment dhe shumë shpejt ky aks do të hapet për qytetarët.

Projekti për rikualifikimin urban të bulevardit “Ismail Qemali”, në Vlorë filloi në pranverë të vitit 2018.

Në këtë bulevard po rehabilitohet e gjithë infrastruktura nënrrugore, ku janë duke u vendosur të gjitha kanalizimet dhe kanalizime rezervë, për mundësinë e shtrirjes së fibrave optikë, apo investimeve të tjera në të ardhmen duke pasur linja rezervë, në mënyrë që qytetarët dhe bizneset të kenë mundësi që pa dëmtuar infrastrukturën e bulevardit të shtrijnë, si dhe të kenë akses për investime të reja.