Voskopoja turistike, gati ndërhyrja te Manastiri i Shën Prodhomit dhe tre objekte të tjera

20

Dy kisha dhe dy manastire, pjesë e trashëgimisë kulturore në zonën e Voskopojës, do t’u nënshtrohen ndërhyrjeve me qëllim përmirësimin e potencialit turistik të tyre.

Kredia e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, e dedikuar për projektin mundësimi i turizmit dhe infrastrukturës në Shqipëri, me vlerë 40 milionë euro, ka të përfshirë në listën e ndërhyrjeve edhe këtë kontratë nën emërtimin “Përmirësimi i potencialit të turizmit kulturor nëpërmjet ndërhyrjeve në objektet e trashëgimisë kulturore në Voskopojë”.

Më në detaj parashikohen ndërhyrje në Manastirin e Shën Prodhomit, Voskopojë, Kisha e Shën Mëhillit, Manastiri i Vithkuqit dhe Kisha e Shën Mërisë.

Institucioni i ngarkuar me prokurimet dhe pjesën e kontraktimit të zbatimit është Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe pak ditë më parë ky i fundit në sistemin e BERZH njoftoi për çeljen e tenderit. Procedura do të jetë me një fazë dhe subjektet e interesuar do të kenë afat deri në 13 dhjetor të këtij viti për të paraqitur interesin.

Të dhënat zyrtare tregojnë se themelimi i Voskopojës daton në 1330, sipas arkivave të gjetura në Manastirin e Shën Prodhomit.

“Periudha më e madhe e zhvillimit të Voskopojës ishte në vitet 1760, gjatë së cilës Voskopoja ishte një qendër qytetërimi, akademi dhe biblioteka. Gjatë kësaj kohe janë ndërtuar gjithashtu 25 kisha (me afreske dhe piktura të veçanta). Shtatë prej tyre vazhdojnë të ekzistojnë edhe sot dhe të tërheqin shumë turistë.

Një nga atraksionet më të mëdha është Shën Prodhomi, i cili në fakt është një nga manastiret më të vjetra në Shqipëri. Ajo daton në shekullin e 14-të dhe nga të dhënat që është kodifikuar që nga viti 1330” referuar smilealbania.gov.al.

Voskopoja mbetet një nga rajonet me potencialin më të lartë të zhvillimit të turizmit dhe pavarësisht se investimet në struktura akomodimi nuk ka munguar ku banoret kanë përshtatur banesat në funksion të turizmit ende ka vend për t’u rritur në shifra.

Operatorët turistikë vendas shprehen se marketimi i Voskopojës në të gjitha dimensionet turistike të saj mund të sillte të ardhura të konsiderueshme për rajonin ku bën pjesë.