Vullnetarë nga Shqipëria dhe nga bota për të pastruar e gjelbëruar Vjosën

3

Në Vjosë është çelur “Java e Vullnetarizmit” e pagëzuar me emrin simbolik “Unë jam Vjosa”.

Në “Javën e vullnetarëve në Vjosë”, marrin pjesë jo vetëm vullnetarë nga Shqipëria, por edhe nga disa vende të botës, për të pastruar e gjelbëruar mbretëreshën e lumenjve.

Kjo veprimtari kombëtare përfshin disa ndërhyrje nga grupe vullnetarësh shqiptarë dhe të huaj në Përmet dhe Tepelenë për pastrimin e brigjeve të lumit nga mbetjet urbane, mbjellja e pemëve autoktone tradicionale të territorit të përfshirë në hartën e parkut dhe çeljen e disa shtigjeve për vizitorët.

“Java e Vullnetarizmit për Vjosën” nisi në Urën e Badëlonjës në Përmet ku grupet e vullnetarëve, pasi bënë pastrime të brigjeve përreth urës vazhduan pastrime edhe në territore të tjera të brigjeve duke përdorur edhe kanoet.

Lumi Vjosa, i gjatë 270 kilometra, rrjedh nga shpatet e mbuluara me pyje të maleve të Pindit të Greqisë deri në bregdetin Adriatik të Shqipërisë. Ai u shpall park kombëtar më 13 mars të këtij viti.

Në 13 qershor 2022 u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe organizatës amerikane “Patagonia” për nisjen e punës së përbashkët për ta shpallur Vjosën “Park Kombëtar”.

/ata.gov.al