“Xhubleta në miniaturë”, historiku i veshjes identitare për brezat e rinj

1
“Xhubleta në miniaturë”, elementi identitar i grave malësore në Shqipërinë e Veriut, në një rrugëtim kreativ e me ngjyra, titullohet cikli i punëtorive të nisura në Shkodër.

Këto punëtori do të njohin nxënësit e shkollave të Mesme me historikun, elementët dhe teknikën artizanale të kësaj veshje.

Kjo punëtori ka lindur si bashkëpunim i Drejtorisë Rajonale Kulturore Shkodër me shkollën e Mesme Profesionale “Hamdi Bushati” dhe shkollën e Mesme Artistike “Prenk Jakova”.

“Nisim një cikël punëtorish edukative duke zbërthyer artistikisht elementë dekorativ të xhubletës fokusuar në aspekte të teknikës artizanale të krijimit, deri tek legjendat që e rrethonin e krijonin dyzimet mes mitit e reales”, shkruan DRTK Shkodër në një postim në rrjetet sociale teksa ka publikuar dhe foto nga ky aktivitet.

Pas polifonisë, xhubleta është trashëgimia e radhës jomateriale që merret në mbrojtje nga UNESCO. Dijebërja e veshjes së xhubletës që daton 4 mijë vjet para, tashmë është pasuri e gjithë njerëzimit.

Xhubleta, veshje tipike e zonave të veriut, cilësohet si një prej kostumeve më të rralla popullore, me disa lloje e karakteristika, prerjeje e qepjeje, sipas zonave dhe moshave të grave që e vishnin.

/ata.gov.al