Zbardhen kriteret për financim për panelet diellore, kush dhe sa përfiton

138

Prej të martës nisin aplikimet për konsumatorët familjarë për panelet diellore për ngrohjen e ujit me financim 70 % nga buxheti i shtetit. Sipas detajeve të publikuara, nga ky subvencionim përfitojnë vetëm ata konsumatorë të cilët harxhojnë mbi 250 kw çdo muaj energji elektrike, si dhe ata që trajtohen me ndihmë ekonomike. Ky kriter vlen të paktën për 6 muaj e fundit që nga aplikimi.

Në kriteret e përcaktuara nga Ministria e Energjetikës dhe nga Agjencia e Eficencës së Energjisë thuhet se ndër të tjera abonenti i cili aplikon për panel diellor nuk duhet të jetë debitor në OSHEE.

Ndër të tjera pranohen edhe ata abonentë familjarë të cilët kanë lidhur një marrëveshje me OSHEE për shlyerjen me këste të detyrimeve të prapambetura. Po ashtu nuk përfitojnë nga ky aplikim konsumatorët familjarë banesa e të cilit është e pa legalizuar apo në proces legalizimi.

Qytetarët duhet të aplikojnë online tek faqja e Agjencisë së Eficencës së Energjisë me dokumentacionin përkatës.

Po ashtu konsumatori familjar duhet të plotësojë një formular vetëdeklarimi. Portali bën renditjen e dy mijë aplikimeve të para që pajisen me numrin përkatës në mënyrë automatike. Brenda 2 ditëve, Agjencia miraton ose refuzon aplikimin dhe njofton aplikuesin në mënyrë elektronike.