Zbulohet shifra/ Turistët e huaj shpenzuan në Shqipëri 1.5 miliardë euro në 9 muaj

22

Turizmi është gjallëruar ndjeshëm gjatë 9-mujorit të këtij viti, pas problematikave që shoqëruan kufizimet nga pandemia.

Statistikat e Bankës së Shqipërisë, tregojnë se, të huajt që udhëtuan në Shqipëri në 9-mujorin e vitit 2021, shpenzuan rreth 1.5 miliardë euro në vendin tonë.

Krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë, ky tregues është dyfishuar duke dhënë kontribut në rritjen e të ardhurave në ekonominë e vendit.

Referuar statistikave, tremujori i tretë i vitit, solli në vendin tonë 786 milionë euro, me rritje 0.5 % në raport me korrik-shtator të 2019-s.

Sipas INSTAT për 9-mujorin, në vend hynë 4.7 milionë shtetas të huaj, më shumë se dyfishi në krahasim me vitin pandemik, por 10.7 % më pak sesa në janar-shtator 2019.

Në totalin e turistëve kryesojnë shtetasit nga Kosova, që shënuan një rritje me 18 % në krahasim me 9-mujorin 2019, duke zënë gati 50 % të hyrjeve totale, nga 37 % në të njëjtën periudhë 2019.