Zbulohet vilë me pishinë e periudhës romake gjatë gërmimeve në Durrës

34

Në kantierin e shkollës “Gjergj Kastrioti” në Durrës vijojnë gërmimet, ku janë zbuluar disa gjetje arkeologjike të shekujve I-IV pas Krishtit.

Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore bën me dije se  “gërmimet arkeologjike, të cilat shtrihen në një sipërfaqeje prej 1200 m2, në këtë fazë, kanë dhënë një panoramë të veçantë të organizimit urban të zonës, ku me siguri kemi të bëjmë me një pjesë të qytetit ku banonin shtresat elitare të shoqërisë”.

“Kjo konsiston në ndërtime me një arkitekturë të zhvilluar e faktuar së fundmi dhe nga dalja në dritë e gjurmës të një pishine të brendshme të një vile të periudhës romake, e para e llojit të saj e zbuluar nga gërmimet arkeologjike në Shqipëri, e cila është e dekoruar në të gjithë sipërfaqen e saj me afresk të një niveli të lartë artistik shumëngjyrësh. Unikaliteti i kësaj strukture qëndron dhe në dyshemenë e saj të shtruar me një mozaik të ruajtur shumë mirë, me motive gjeometrike, të punuar me tesera mermeri, guri, qelqi dhe qeramike”, nënvizoi IKTK.

Sipas IKTK-së, në afërsi të pishinës është zbuluar një monument hidrik i përbërë nga dy vaska të cekëta të shtruara me llaç hidroizolues.

Në pjesën veriore të kantierit të gërmimit u zbulua një dysheme me tulla, me përmasa të mëdha, e cila mund të jetë dyshemeja e një terme, duke marrë parasysh krahasimet me ndërtimet e ngjashme të periudhës në Mesdhe.

Po ashtu janë evidentuar disa linja muresh që lidhen me kompleksin arkitektonik të zbuluar në këtë sektor. Lartësia e konsiderueshme e ruajtjes së tyre na lë të nënkuptojmë që ky monument mund të ketë qenë i ndërtuar me dy kate.

“Me shumë interes janë zbulimet në pjesën perëndimore , ku do veçonim fragmente të dekorimit të mureve dhe tavaneve të vilës, të punuara me stuko me motive të ndryshme, antropomorfe dhe floreale. Edhe këtu gjurmët e afreskut nuk mungojnë. Nga gërmimi është identifikuar dhe kanali kullues I ujërave të shiut i ndërtuar me pllaka qeramike”, theksoi IKTK.

IKTK u shpreh se “gjetjet arkeologjike na vendosin në periudhën e shekujve I-IV të erës sonë me pikën kulmore të zhvillimit të monumentit në shekujt I-II e.s. Arkeologët mendojnë që kjo vilë u shkatërrua nga tërmeti I shekullit IV e.s, i cili përmendet në burimet antike”.

Vitin e kaluar duke hapur themelet për rindërtimin e shkollës së mesme “Gjergj Kastrioti”, në kuadër të programit EU4Schools financuar nga BE dhe zbatuar nga UNDP, doli në dritë një pjesë mozaiku i rrallë antik. Ky mozaik, i përbërë nga gurë ngjyrë blu të errët dhe të bardhë ku paraqiten figura gjeometrike dhe floreale, i përket fundit të shekullit I dhe fillimit të shekullit II dhe është pjesë e një vile luksoze që ndodhej pranë amfiteatrit të Durrësit.

/ata.gov.al