Zemra blu e Ballkanit shpallet Park Kombëtar – Vjosa, lumi i fundit i egër i Europës

63

Lumi Vjosa dhe degëzimet e tij, u shpallën nga qeveria shqiptare, një park i ardhshëm kombëtar për ta ruajtur këtë lum, të vlerësuar nga ekspertë ambientalistë si „zemra blu e Ballkanit dhe një nga lumenjtë e fundit, të egër, të gjallë në Europë”. Një marrëveshje mes qeverisë së Tiranës dhe organizatës ambientaliste amerikane “Patagonia” parashikon hartimin e një plani të qëndrueshëm dhe të integruar për të ndërtuar Parkun Kombëtar të lumit Vjosa.

Kjo organizatë do të bashkëpunojë edhe me organizatën gjermane “EuroNatur” me seli në Rheinbach pranë Bonn-it dhe „RiverWatch”organizatën ndërkombëtare për mbrojtjen e lumenjve, me seli në Vjenë, për të ngritur dhe financuar një panel ekspertësh vendas dhe ndërkombëtarë.

Lumi Vjosa, buron nga malet e Pindit në Greqi, dhe rrugëton në një gjatësi prej 272 km drejt detit Adriatik mes enklavash të paprekura malore, kataraktesh, grykash dhe liqenesh. Ai ka kanione, zgjerime në disa pjesë që shkojnë deri në 2 km dhe në deltën e tij të paprekur ngrejnë folenë pelikanët. Ai është habitat i mbi 1,100 specieve, ndër të cilat 13 janë gjallesa në rrezik zhdukje në rang global.  Përveç vlerave ekologjike lumi Vjosa ka vlera kulturore dhe ekonomike për më shumë se 60 mijë banorë, që punojnë dhe jetojnë në fshatrat që shtrihen përgjatë brigjeve të tij.