Zhvillimi i sektorit detar, Norvegjia jep 1.4 milionë euro për Shqipërinë

178

Shqipëria është e vendosur t’i japë një shtysë zhvillimit të sektorit detar për t’u futur në rrugën drejt një rritjeje të qëndrueshme. Projekti i quajtur “Zhvillimi i sektorit detar”, financohet nga Qeveria e Norvegjisë dhe zbatohet nga PNUD-i në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Projekti synon rritjen e integrimit të Standardeve Detare Shqiptare në përputhje me kritere e BE-së përmes krijimit të një kuadri politikash të transportit detar. Gjithashtu, qeveria e Norvegjisë mbështet edhe një tjetër projekt të dytë me përfitues Universitetin e Vlorës dhe atë të Durrësit, me fokus edukimin dhe programet e studimit në lidhje me transportin detar. Të dy projektet mundësohen në sajë të mbështetjes me rreth 1.4 milion euro nga qeveria e Norvegjisë.

Objektivat kryesore të projektit janë fuqizimi i kuadrit rregullator detar në përputhje me praktikën ndërkombëtare detare dhe kriteret legjislative të BE-së; fuqizimi i kapacitetit institucional për të harmonizuar standardet dhe rregulloret përmes programeve të trajnimit dhe të shkëmbimit, si dhe rritja e përpjekjeve të qeverisë për të promovuar krijimin e grupimeve detare dhe koordinimin ndërmjet tyre.