Zyrtare! Rriten pagat për 19 mijë punonjës të shëndetësisë, shpërblim mujor për mjekët që ushtrojnë profesionin e tyre jashtë vendbanimit

43

Duke filluar nga 1 korriku të gjithë mjekëve, infermierëve, teknikëve të laboratorit, imazherisë, të gjithë punonjësve të shëndetësisë që ofrojnë shërbime për qytetarët iu rritet paga me 6 %.

Rritjen e pagave me 6 % e përfitojnë mbi 19 mijë punonjës të shëndetësisë, nga urgjenca kombëtare, në shërbimin e shëndetit publik, në qendrat e kujdesit parësor dhe në shërbimin spitalor. Ky vendim i qeverisë vjen në vazhdën e politikës së rritjes së pagave të ndërmarrë në këto vite për stafet mjekësore, pagat e të cilëve janë rritur me 63 %. Pas rritjes me 40 % në vitin e pandemisë, rritja e pagave do të vijojë me 40 % sërish në këtë mandat qeverisës, duke filluar nga viti 2022 me rritjen prej 6 % të pagave. Efekti financiar i rritjes së pagave dhe shpërblimeve është rreth 10 milionë dollarë dhe i shtrin efektet nga data 1 korrik 2022.

Qeveria shqiptare ka miratuar edhe një shpërblim financiar në masën 15 mijë lekë në muaj për të gjithë ata mjekë që mbarojnë specializimin dhe në bazë të kontratave me MSHMS ushtrojnë profesionin e tyre jashtë vendbanimit, pra në spitalet rajonale do të përfitojnë këtë shpërblim financiar mbi pagën. Nga kjo do të përfitojnë 300 mjekë, të cilët kanë përfunduar specializimin dhe do të mbarojnë specializimet dhe do të atashohen pranë spitaleve rajonale për të ushtruar profesionin e tyre në një periudhë 3-vjeçare sipas kontratës me Ministrinë e Shëndetësisë.