Zyrtare! Të hënën rinis transporti urban në Tiranë, ja masat që duhet të zbatoni

74

Pas rreth 4 muajsh mbyllur për shkak të masave të marra për parandalimin e përhapjes së COVID-19, nga dita e nesërme do të rinisë transporti publik në kryeqytet.

Për të gjithë qytetarët, përdorimi i maskës është i detyrueshëm gjatë gjithë udhëtimit sikurse duhet respektuar distanca fizike përgjatë kohës së qëndrimit në autobus si edhe në hyrje e dalje.

Në stacionet e qëndrimit udhëtarët janë të detyruar të përdorin maska gjatë pritjes së autobusit ndërsa personeli i transportit publik qytetas/rrethqytetas (shoferë, faturino, kontrollorë) do të jenë të detyruar të përdorin maska.

Për të maksimalizuar sigurinë ndaj COVID-19, edhe punonjësit e shërbimit të operatorëve si: kontrollor, dispecer, si dhe stafe të tjera plotësuese do të jenë të pajisur me maskë mbrojtëse në momentin që janë prezent në mjet gjatë kryerjes së shërbimit.

Gjithashtu, mjetet e operimit do të dezinfektohen në mënyrë periodike në ambientet e operatorit transportues nga stafi i tij dhe mjetet e operimit në transportin qytetës/rrethqytetas për personelin e shërbimit (shoferë, faturino, kontrollorë) do të pajisen me dizinfektantë me bazë alkooli.

Gjatë udhëtimit duhet të bëhet e mundur ajrimi i ambienteve të brendshme të mjetit, përgjatë gjithë kohës së udhëtimit, nëpërmjet sistemeve të ajrimit të vendosura në pjesën e sipërme të mjetit ose duke mbajtur hapur pjesët strukturore të dritareve që e kanë këtë mundësi në rastet kur mjeti është i pajisur me dritare ose me sisteme ajrimi.

Në çdo mjet do të vendosen postera për respektimin e rregullave të higjienës, të rekomanduara nga OBSH-ja, të vendosura në vende të dukshme për udhëtarët.

Për zbatimin me rigorozitet të masave të sigurisë, çdo udhëtar dhe punonjës i transportit publik mban përgjegjësi personale për mosrespektimin e këtij protokolli, si dhe janë objekt kontrolli nga organet kompetente dhe masat e parashikuara në protokollin e sigurisë do të kontrollohen nga organet kompetente.