Bashkia e Tiranës, konkurs për suveniret

475

Bashkia e Tiranës organizon një konkurs për suveniret që do të përfaqësojnë kryeqytetin. Nga ky event do të përzgjidhen 40 produkte apo suvenire të frymëzuara nga Tirana.

Qëllimi i këtij konkursi është rritja e tregtueshmërisë së suvenirëve, diversifikimi i tyre duke lidhur dizenjimin dhe kompozimin me tendencat tregtare bashkëkohore si dhe me traditën dhe trashëgiminë natyrore, historike dhe kulturore të Tiranës, për ta bërë atë më tërheqës për vizitorët dhe turistët që vizitojnë qytetin.

Këto produkte mund të jenë suvenire artizanale të prodhuara sipas metodave tradicionale, mund të jenë produkte të reja ku elementët e dizajnit modern ndërthuren me motivet tradicionale, por mund të jenë edhe produkte krejtësisht inovative që ndoshta mund të mos frymëzohen nga tradita, por që arrijnë të mbërthejnë thelbin e të jetuarit në Tiranën bashkëkohore duke u kthyer në simbol e identitet të saj.

Bashkia e Tiranës fton të interesuarit të dorëzojnë idetë dhe dizajnet për produktet e tyre deri më 12 qershor 2017.

Çmimet për suvenirin turistik dhe produktin inovativ turistik do të kenë një shpërblim prej 10 mijë lekësh, çmimi i dytë 6 mijë lekë, dhe çmimi i tretë 4 mijë lekë. Ndërsa do të shpërndahen dhe 36 çmime të tjera nga 2 mijë lekë.

Burimi: Top Channel