Dita Ndërkombëtare e Grave dhe Vajzave në Shkencë

2

11 shkurti është njohur nga OKB-ja si Dita Ndërkombëtare e Grave dhe Vajzave në Shkencë. Kjo ditë është një mundësi për të promovuar aksesin dhe pjesëmarrjen e plotë dhe të barabartë në shkencë për gratë dhe vajzat.

Një hendek gjinor ka vazhduar përgjatë viteve në të gjitha nivelet e disiplinave të shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës në të gjithë botën. Edhe pse gratë kanë bërë përparim të jashtëzakonshëm drejt rritjes së pjesëmarrjes së tyre në arsimin e lartë, ato janë ende të nënpërfaqësuara në këto fusha. 11 shkurti është një kujtesë se gratë dhe vajzat luajnë një rol kritik në komunitetet e shkencës dhe teknologjisë dhe se pjesëmarrja e tyre duhet fuqizuar.

“Barazia gjinore ka qenë gjithmonë një çështje thelbësore për Kombet e Bashkuara. Barazia gjinore dhe fuqizimi i grave dhe vajzave do të japin një kontribut vendimtar jo vetëm për zhvillimin ekonomik të botës, por edhe për përparimin në të gjitha synimet dhe objektivat e Axhendës 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm”, shkruhet në faqen online të OKB.

Trajtimi i disa prej sfidave më të mëdha të Axhendës për Zhvillim të Qëndrueshëm, nga përmirësimi i shëndetit te luftimi i ndryshimeve klimatike , do të mbështetet në shfrytëzimin e të gjithë talenteve. Kjo do të thotë që më shumë gra do të punojnë në të ardhmen në këto fusha.

/ata.gov.al