Ky është restoranti i rekomanduar nga guida italiane në Shqipëri

665

Është një restorant i vogël, i njohur për produktet bio, që të kthen te tradita, e kombinuar me njohuritë e chef-it i cili ka përvoja pune në disa nga kuzhinat më me emër të Evropës, i cili ka nisur të njihet në Tiranë, por me sa duket jo vetëm.

Faqja italiane e njohur për prezantimin e restoranteve më të mira në Itali dhe në Evropë, Gudia Identita Golose, për Shqipërinë rekomandon Mullixhiu-n, restorantin e hpuar në vitin 2016 nga Bledar Kola.

Veçse themelues i restorantit të rekomanduar, Bledar Kola përfshihet dhe në klasifikimin e chef-ave 30 vjeçarë të kësaj guide, ku prezantohet dhe një biografi e shkurtër e talentit shqiptar në fushën e gatimit. “Mullixhiu është hapur në shkurt të 2016-ës nga Bledar Kola, i cili ishte larguar nga vendi i tij kur ishte 15 vjeç. Një fillim si pjatalarës në Londër, tre stazhe në restorantin Noma, një periudhë në Fäviken dhe pastaj vendimi për t’u kthyer në atdhe. Ku bëhet epitomi i rilindjes gastronomike shqiptare”, shkruan Guida Identita Golose.

Në përshkrim thuhet që ortakë me Bledar Kolën janë dhe pronarët e restorantit Mrizi i Zanave, nga vijnë çdo mëngjes mishi, djathi, frutat dhe perimet. Një vokacion lokal i shprehur qartë edhe nga mulliu i vendosur në vitrinë nga del miell misri, gruri, tërshëre që përdoret për bukën, por dhe për t’u shitur në një dyqan të vogël përbri hyrjes bashkë me lëngjet etj.. Edhe verërat janë të gjitha shqiptare. Një tryezë e plotë degustimi, bashkë me verën, shkon te rreth 30 euro.

Pasi flet për recetat tradicionale shqiptare të ardhura në tryezë me fantazinë e chef-it, gudia italiane parashikon një të ardhme për Tiranën.

“Mullixhiu është simboli i Tiranës që pas pak do jetë ‘Berlini i ardhshëm’ i Shqipërisë që po zgjerohet me hapa të shpejtë dhe po kupton trashëgiminë ushqimore dhe traditat mbi të cilat ka qëndruar e ulur.”

Mullixhiu ndodhet pranë Liqenit Artificial të Tiranës dhe është i hapur çdo ditë.

Burimi: Revista Class