Pishtari flakërues i arsimit shqiptar: 125-vjetori i shkollës së parë shqipe

446
14793717_10154598418227512_1921214522_n
Nga Agesil Qiriazi

“Historia e shkollës së parë shqiptare për vasha, – shkruan në kujtimet e veta Sevasti Qiriazi, – është si një romancë plot aventura. Është historia e luftës kundër injorancës, që pati arritje të rëndësishme dhe me vlerë. Ishte si një re pluhuri e krijuar aty-këtu prej erës që u hoq nga shkretëtira ku kishte lindur dhe papritur u shndërrua si me magji në një shtyllë të bukur e të fortë për të ndriçuar e stolisur kombin.”

Si sot, më 23 tetor 1891, 125 vjet më parë, në qytetin e Korçës hapi dyert e para shkollë shqipe për vajzat, e cila u bë vatër e arsimit shqiptar dhe e ideve për liri e përparim kombëtar. Ajo shkollë mblodhi rreth saj patriotët më të shquar, të cilët punuan me mish e me shpirt për gjuhën, arsimin dhe përparimin e kombit shqiptar.

Po si lindi kjo shkollë?

Siç tregon Sevastia në kujtimet e veta, çdo gjë fillon me një ide dhe kjo ide “ekzistoi në mendjen e vëllait tim të ndjerë, Gjerasim, një njeri i virtytshëm, i cili e shihte nevojën e madhe për një institucion të tillë që do të shërbente për emancipimin e grave shqiptare.

Gjerasim Dhimitër Qiriazi, një shqiptar nga Manastiri lindur në një familje me origjinë nga Kolonja, kishte mbaruar Seminarin Teologjik Ungjillor në Samokov, Bullgari, dhe punonte në atë kohë pranë “Shoqërisë Biblike për Britaninë dhe Vendet e Huaja”, e cila në vitin 1827 u kishte dhënë shqiptarëve për herë të parë në gjuhën e tyre të plotë “Dhiatën e Re” me përkthimin e Vangjel Meksit.

Gjerasimi kishte bërë disa udhëtime në viset shqiptare, si në Korçë, Berat, Durrës, Kavajë, Vlorë e Shkodër për të predikuar shqip ungjillin, lajmin e mirë. Në këto udhëtime ai kishte parë nga afër gjendjen e mjeruar të popullit, kishte ndjerë dëshirën e zjarrtë të njerëzve për arsim në gjuhën amtare dhe zemra e tij ishte prekur thellë. “Ishte e natyrshme, – shkruan Sevastia në kujtimet e veta, – që ideja të vinte prej tij, se ai arrinte të shihte të mirat e edukimit në tokën tonë dhe fatkeqësitë pa të.”

Me dëshirën e zjarrtë për të ndihmuar sadopak popullin e tij, Gjerasimi bashkë me të shoqen, Athinanë, vendoset në Korçë në vitin 1890 dhe fillon të predikojë në gjuhën shqipe, ku gjeti ndër njerëzit një etje të madhe për gjuhën shqipe. Nga ky shkak fitoi simpatinë dhe përkrahjen e shumë patriotëve shqiptarë, veçanërisht të Jovan Cico Kosturit, Orhan Pojanit, Thimi Markos, Petro Nini Luarasit e Thanas Sinës, të cilët e lutën që të predikojë shqip në ndërtesën e Mësonjëtores së Parë Shqipe, dhe armiqësinë e klerit grek dhe autoriteteve osmane, të cilët e panë si rrezik për realizimin e planeve të tyre antishqiptare dhe filluan përndjekjet, kontrollet, bastisjet, mallkimet.

Më 23 tetor 1891 Gjerasimi dhe e motra Sevastia, e cila sapo kishte mbaruar studimet në Shkollën Amerikane për Vajza në Stamboll, (themeluar nga “Bordi Amerikan i Komisionerëve për Misionet e Huaja”) të vendosur për të përmbushur nevojën e popullit shqiptar për arsim në gjuhën amtare, çelën në Korçë të parën shkollë shqipe për vajza.

Në ceremoninë e diplomimit të Sevastisë në Stamboll, kishte qenë i pranishëm dhe Naim Frashëri si përfaqësues i Ministrisë së Arsimit, i cili i kishte thënë Sevastisë: “Motër, punë më të mirë dhe më të vyer nuk mund të bësh për Shqipërinë e mjerë sesa kini vendosur të bëni bashkë me vëllanë për emancipimin e grave të vendit tonë të shkretë. Detyrat tënde fillojnë tani dhe po të jesh besnike, këmbëngulëse dhe e vullnetshme do të arrish të kryesh vepra të mëdha për kombin.”

Shkolla u çel në shtëpinë e Grigor Eliadhe Frashërit, pranë kishës së Shën Gjergjit, shtëpi në të cilën Gjerasimi me të shoqen dhe Sevastia banonin me qira. Sevastia kujton se atë ditë erdhën “tri vajza mjaft inteligjente e premtuese, vetëm për shkak të lajmit që ishte përhapur në qytet. Fillimi ishte shumë i thjeshtë, por kur mbyllëm vitin shkollor, në qershor, numri kishte arritur në 27 nxënëse, më shumë nga çfarë kishim guxuar edhe të shpresonim si fillim lidhur me punimin e një toke kaq të fortë. Por asnjë vepër e mirë nuk ikën pa lënë gjurmë”.

Polikseni (Dhespoti) Luarasi, e shoqja e patriotit Kristo Luarasi, një nga tri nxënëset e para të kësaj shkolle dhe e diplomuara e parë e saj e kujton kështu hapjen e shkollës shqipe të vashave: “Shkolla u hap në një dhomë të shtëpisë ku banonte Gjerasim Qiriazi. Dhomën e ktheu në një sallë mësimi: vuri ca bango sipas moshës së nxënësve, rregulloi një katedër për mësonjësin, një dërrasë të zezë për të shkruar dhe harta gjeografike nëpër mure. Kështu lindi bërthama e parë e shkollës shqipe të vashave në Korçë.”

Sevastia shkruan në kujtimet e saj se shkolla iu nënshtrua qysh në ditët e para sulmeve të injorancës, bestytnisë, tiranisë dhe përndjekjes. Qeveria turke i ndalonte familjet myslimane t’i dërgonin vajzat në këtë shkollë duke i kërcënuar prindërit me burgim dhe me syrgjynosje, ndërsa kisha greke i kërcënonte familjet ortodokse me mallkime, çkishërim, moskryerje të shërbesave fetare, veçanërisht të ceremonive mortore. Por, pavarësisht nga këto, kjo shkollë arriti që jo vetëm të mbijetonte, po, si përfundim, edhe të lulëzonte, duke u dhënë dije dhe frymëzim shumë vashave, numri i të cilave sa vinte e rritej më shumë.

Në shtator 1892 shkolla u çel në ndërtesën e re që bleu Gjerasimi prej zotit Petrika Peço në lagjen e re aty afër vendit që quhej “Çezma e Arave”. Aty vazhdoi derisa u mbyll në 10 korrik të vitit 1914. Kjo ndërtesë është edhe sot në Korçë. Në periodikun e Bordit Amerikan të Komisionerëve për Misionet e Huaja “Lajmëtari Misionar” të muajit nëntor 1892, botohet një letër e z. Berd, drejtues i Misionit Amerikan të Manastirit, që mban datën 13 shtator, ku thuhet: “Rreth 3 javë më parë zoti Qiriazi bleu një shtëpi dhe një copë tokë në Korçë për 120 lira turke. Pjesa e sipërme e shtëpisë s’ka qenë mbaruar ndonjëherë dhe disa nga muret janë anuar nga një tërmet.”

Po në këtë periodik të muajit shkurt të vitit 1893, botohet një letër e Gjerasimit, që njofton përparimin e punës në Korçë, në Shqipëri, ku përmend me kënaqësinë më të madhe ndërtesën e re për kishë dhe shkollë, e cila ka qenë blerë dhe pajisur, me një sallë që mban 100 dëgjues. Kostoja e ndërtesës, përfshirë riparimet, ishte vetëm 165 lira turke dhe mbetet vetëm një borxh i vogël. Kontributet për punën u dërguan nga Samokovi dhe nga vende të tjera (nga miqtë e Gjerasimit).

“Gjithë orenditë shkollore, – kujton Sevastia, – ishin: dërrasa e zezë, bankat, stolat, por tipari mbizotërues i shkollës ishte fryma e të qenit i kënaqur dhe me qëllime në jetë. Kur nuk kishim banka aq sa na nevojiteshin, nxënëset uleshin në dyshemenë e larë mirë dhe përdornin stolat për banka.”

Pas blerjes së ndërtesës u ngrit një valë e re përndjekjesh, madje u provua edhe eliminimi fizik i Gjerasimit. Blerja e ndërtesës tregonte një veprimtari të përhershme, gjë që për autoritetet osmane dhe greke ishte e papranueshme. Megjithatë, shkolla përhapte dritë në të gjithë qytetin. Mësueset e shkollës punonin jo vetëm me nxënëset, por pasditeve edhe me gratë e qytetit duke u mësuar atyre shkrim e këndim. Madje, Sevastia kujton një ngjarje, ku një nga policët që ishte vënë të mos lejonte nxënëset të vinin në shkollë, kishte mësuar prej tyre të lexonte shqip. Si pasojë e transferuan në një vend tjetër, por ai para se të largohej, tha: “Tani që unë kam atë për të cilën zemra ime kishte dëshirë të zjarrtë, nuk ka fare rëndësi për mua se ku më çojnë.”8 Kështu, kjo shkollë përhapte dritë në gjithë qytetin.

Viti shkollor 1892-1893 u mbyll me sukses të madh dhe kishte gjithsej 53 nxënëse. Zoti Berd nga Manastiri, shkruan me këtë rast në periodikun “Lajmëtari Misionar” të muajit shkurt 1893: “Qershorin e shkuar Shkolla Shqipe e Vashave në Korçë u mbyll me program për publikun, ku nxënëset treguan aq përparim sa habitën shumë nga miqtë e tyre.

Personeli i shkollës në vitet e para, po t’u referohemi kujtimeve të Polikseni Luarasit, përbëhej nga: Gjerasim Qiriazi, drejtor, Sevasti Qiriazi, Thanas Sina Postenani dhe Fanka Eftim,9 e cila, siç kujton Efigjeni Pendavinji, një tjetër ish-nxënëse e kësaj shkolle, megjithëse ka qenë bullgare, e kishte mësuar shqipen shumë mirë dhe e ka dashur Shqipërinë si një shqiptare e flaktë.10 Mësues të tjerë që kanë dhënë mësim në këtë shkollë janë edhe patriotët e shquar Grigor e Katerina Cilka, Gjergj Qiriazi, Kristo Dako, Parashqevi Qiriazi, nxënëse të kësaj shkolle Polikseni Luarasi, Helidhona Titu (Falli), amerikanët Fineas e Violet Kenedi të Misionit Amerikan, etj.

Mësimi kryesor, – kujton Polikseni Luarasi, – ka qenë gjuha shqipe, për të cilën kujdesej vetë drejtoria. Punës së dorës i jepej rëndësi e madhe, nxënëset e kësaj shkolle u bënë mjeshtre në punë dore, bile ato i tejkaluan vashat e shkollës greke. Gjithashtu rëndësi i vihej mësimit të këngëve patriotike shkruar kryesisht nga Gjerasim Qiriazi, i cili u vinte dhe muzikë.

Helidhona Titu (Falli) kujton: “Mësimet në klasat e fillores i bënim në gjuhën shqipe dhe, meqë nuk kishim libra, mësuesit na i përgatitnin në një lloj litografi.

Pas vdekjes së Gjerasimit në vitin 1894, vendin e tij e zuri i vëllai Gjergj Qiriazi e më pas Thanas Sina e Grigor Cilka dhe secili dha një kontribut të shquar për përparimin e kombit shqiptar.

Në vitin 1895 Bordi Amerikan njofton se shkolla e vajzave pa konvikt, e vetmja shkollë e vajzave që përdor shqipen, është drejtuar shkëlqyeshëm prej mësueseve vendëse. Provimet e saj në mbyllje të vitit tërhoqën një numër të madh nga qytetarët më të mirë të Korçës. Po ashtu në vitin 1898, zoti Berd nga Manastiri njofton se aktualisht nuk ka më shumë se 5 shkolla shqipe dhe pjesa më e madhe e tyre janë të vogla dhe të varfra. Shkolla protestante e vashave në Korçë po bën një punë të mirë për vajzat shqiptare dhe po lulëzon.

Në vitin 1900, pas shkollimit në Seminarin Teologjik të Unionit në Nju-Jork, Grigor Cilka kthehet së bashku me të shoqen Katerina (Stefanova) Cilka dhe punojnë së bashku në Shkollën Shqipe të Vashave. Katerina Cilka, një grua bullgare me zemër të madhe, punoi pa u lodhur për përparimin e kombit shqiptar. Në vitin 1921 ajo u bë drejtoresha e spitalit të parë në Tiranë dhe pastaj drejtoresha e Strehës së parë Vorfnore në Shqipëri.

Në raportin vjetor të Bordit Amerikan të vitit 1901 thuhet se shkolla e vajzave me konvikt (tashmë) në Korçë, gjithashtu ka pasur një vit të begatë. Mësueset në këtë shkollë janë të gjitha vendëse. Zonjusha Qiriazi lëvdohet shumë nga misionarët e Manastirit dhe të Selanikut, që e kanë vizituar shkollën, për aftësinë me të cilën ajo e ka drejtuar këtë institucion. Ky është viti i parë që kanë marrë konviktore. Numri i tyre ishte pesë. Në provimet e mbylljes ishte i pranishëm një auditor i madh, ku hynin edhe disa bejlerë shqiptarë, e mes tyre ishte guvernatori i qytetit, i cili mbajti një fjalë lavdëruese për punën e shkollës.”

Në vitin 1904 fillon punën si mësuese edhe motra më e vogël e Gjerasimit dhe Sevastisë, Parashqevi Qiriazi, e cila kishte mbaruar po Shkollën Amerikane të Vajzave në Stamboll. Ajo zëvendësoi si drejtoreshë Sevastinë gjatë vitit 1905-1906. Në vitin 1908 ajo themeloi në Korçë shoqërinë e parë të grave dhe vajzave “Yll’ i Mëngjesit”.

Në vitin 1907 autoritetet osmane u përpoqën ta mbyllnin shkollën, por pa sukses. U tentua përsëri të mbyllej në vitin 1910, por tashmë shkolla ndodhej nën administrimin dhe mbrojtjen direkte të Misionit Amerikan, i cili kishte një marrëveshje me Portën e Lartë për ushtrim të lirë të veprimtarisë. Prandaj, zoti Kenedi përfaqësues i këtij misioni në Korçë protestoi dhe refuzoi që kjo shkollë të mbyllej. Fatkeqësisht, kjo fole kombëtare që u bëri ballë kohërave të turbullta të luftrave ballkanike u mbyll më 10 korrik 1914 kur kishte nisur Lufta e Parë Botërore dhe ushtria greke kishte hyrë në Korçë. Zoti dhe zonja Kendi u dëbuan, Parashqevia dhe Sevastia, tashmë e martuar me patriotin Kristo Dako, u shtrënguan të linin atdheun. Megjithatë ata u rikthyen në Shqipëri në vitin 1922 për të çelur në Tiranë “Institutin Kyrias-Dako”, e cila vazhdoi traditën e mirë të shkollës shqipe.

Që nga viti i parë i çeljes së kësaj shkolle 1891 deri në vitin 1913, numërohen 23 vite shkollore. Kanë studiuar 1028 nxënëse. Numri mesatar i nxënëseve ka qenë rreth 44 nxënëse nëvit. Viti 1905-1906 viti me numrin më të madh: 87 nxënëse. Viti 1904-1905 me numrin më të vogël: 19 nxënëse. Nga kjo shkollë u diplomuan gjithsej 20 nxënëse deri në viti n1913. Nxënësja e parë e diplomuar është Polikseni Dhespoti 1895. Të diplomuarat e fundit në vitin 1913 janë: Theodora Ciko, Theodota Kristo, Ksanthipi Qeleshi. Internati (konvikti) i shkollës u çel më 1900 me 5 nxënëse: Ollga Themili, Olimpi Gorguzi, Olimpi Todi, Helidhoni Titu, Thomaidha Llazo.

Nuk është e rastit që mësuesit e kësaj shkolle janë ndër patriotët më të shquar të Rilindjes sonë Kombëtare. Ata i gjen në ballë të luftës për liri e arsim kombëtar e në krye të ngjarjeve më të rëndësishme të atyre viteve. I gjen gjithmonë të orientuar drejt dhe në krahun progresist, duke bërë sakrifica të mëdha: i gjen mësues në shkollën shqipe, përkthyes e shpërndarës librash në gjuhën amtare, propogandues të ideve kombëtare, hartues abetaresh e gramatikash, tekstesh shkollore, pjesëmarrës në Kongresin e Alfabetit, 1908, pjesëmarrës në Kongresin e Elbasanit që solli çeljen e shkollës pedagogjike (normale), luftëtarë politikë, përkrahës të shtetit shqiptar më 1912, përkrahës të qeverisë së Vidit. Ata i gjen gjithmonë duke kontribuuar me sakrifica atje ku ka një copë Shqipëri.

Në parathënien e autobiografisë së Sevasti Qiriazit, botuar së fundi, studiuesja e saj zonja Dana Stucky citon Sevasti Qiriazin, që thotë: “I quaj heronj ata që sakrifikojnë veten për hir të të tjerëve dhe jo ata që sakrifikojnë të tjerët për hir të vetes.” Pikërisht kjo sakrificë e këtyre njerëzve na bën të përkujtojmë sot këtë përvjetor të shkollës shqipe, për të mos e harruar kurrë.