106 vite nga ngritja e Flamurit në Vlorë! Telegrami austriak, si u shpall pavarësia

150

Sot është dita e Pavarësisë, një festë e madhe për të gjithë shqiptarët kudo në botë. Më 28 Nëntor të vitit 1912 u shpall Pavarësia e Shqipërisë nga patriotët e drejtuar nga Ismail Qemali.

Kjo ditë u zgjodh sepse në vitin 1443 heroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti me forcat e tij çliroi Krujën dhe ngriti flamurin kuq e zi.

106 vite më pas nga dita kur në Vlorë u ngrit Flamuri dhe Shqipëria u shpall e pavarur kanë kaluar kohë vërtetë të vrullshme.

Shqipëria ka kaluar shumë peripeci, kohë të vështira dhe të mira.

Pavarësisht gjithçkaje shqiptarët ndjehen krenare për vendin dhe origjinën e tyre dhe kjo falë sakrificës së patriotëve që 106 vite më parë në një kohë të errët për Ballkanin krijuan shtetin shqiptar.

Po.al ju uron të gjithë shqiptarëve: Gëzuar 106 vjetorin e pavarësisë!

Po ju paraqesim origjinalin e një telegrami të shtypur në makinë shkrimi që është dokumenti i pakontestueshëm se si u shpall pavarësia në Vlorë në orën 4 pasdite të datës 28 nëntor 1912. Eshte nxjerrë nga arkivi i pasur i Vjenës, një thesar për historinë shqiptare.

Telegrami prej 7 faqesh është shkruar nga konsulli austriak në Vlorë, Wenzel Lejhanec, dhe i dërgohet ministrit të jashtëm austriak për t’i dhënë lajmin se Ismail Qemali e ka shpallur Shqipërinë të pavarur.

Ja disa pjesë nga telegrami:

“Kuvendi Kombëtar i jashtëzakonshëm u mblodh në orën 2 pasdreke, në shtëpinë e ish-kryetarit të bashkisë, Xhemil bej Vlora. Pas shqyrtimit e pranimit të mandateve të delegatëve, Kuvendi dëgjoi Ismail Qemal beun, i cili duke përshkruar shkurt situatën, theksoi nevojën e marrjes së një vendimi të shpejtë për ruajtjen e interesave të vendit.

Kuvendi vendosi njëzëri shpalljen e pavarësisë së të gjithë Shqipërisë dhe njoftimin pa humbur kohë të Fuqive të Mëdha dhe të shteteve ndërluftuese.

Njëkohësisht, Ismail Qemal beu u zgjodh kryetar i qeverisë së përkohshme dhe u ngarkua me formimin e kabinetit, përkatësisht të komitetit ekzekutiv.

Sipas propozimit të Veli Efendiut nga Gjirokastra, imzot Kaçorri, famullitar i Durrësi, i cili kryesonte Asamblenë Kombëtare në krah të Ismail Qemalit, u miratua me brohoritje si zëvendës i tij.

Më pas, aty afër orës 4 pasdreke, tek dera e shtëpisë së Xhemil beut, u ngrit flamuri kombëtar, një shkabë dy krenare e zezë, në një fushë të kuqe. Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë iu njoftua popullit që priste jashtë, i cili e priti me gëzim dhe entuziazëm.

Pastaj një turmë njerëzish përshkoi rrugët e qytetit, duke kënduar dhe brohoritur. Njerëzit qëndruan përpara konsullatës sonë dhe shpërthyen në brohoritje të stuhishme duke thirrur “Rroft Shqypënija” “Rroft Austrija”, thirrje që u shoqëruan me duartrokitje.

Unë falënderova kolonën nga dritarja, duke tundur kapelën dhe thirrur “Rroft Shqypënija”.

Pastaj kolona marshoi para konsullatës italiane, ku u bënë manifestime të ngjashme. Edhe konsulli De Facendis u shfaq në dritare dhe falënderoi duke thirrur tri herë “E viva l’Albania”.

Para nënkonsullatës ruse nuk u bë asnjë manifestim. Flitet se u dëgjuan vetëm disa thirrje aty-këtu: “Rroftë drejtësia”.