‘Babai i radiatorëve’, mjeshtri Gramoz Habilaj: Këtu kam gjetur Amerikën

67

Gramoz Habilaj është një mekanik që për 30 vjet u ka dhënë zgjidhje jo vetëm banorëve të Fierit ku jeton dhe punon. Ai njihet si mjeshtri i radiatorëve ose sic e thërrasin të njohurit, babai i radiatorëve.

Në Fier e njohin të gjithë, madje e thërrasin “babai i radiatorëve”. Është mekaniku Gramoz Habilaj 63 vjeç, i cili punon pa ndalur prej 3 dekadash.

“Kam 30 vite pune dhe përgatis të gjitha llojet e radiatorëve, ky profesion ka një të mirë dhe një të keqe. Të lodh shumë, por në fund kënaqesh kur shikon një rezultat të mirë, merr dhe të ardhura”, tha usta Gramozi.

Në servisin e tij të automjeteve në aksin nacional Fier-Tiranë ndodhen me mijëra pjesë që shërbejnë për radiatorët.

“Këtu kam 2000 kapakë të radiatorëve nga e gjithë Republika dhe këtu nuk do ikësh. Po erdhe do gjesh zgjidhje tek Usta Gramozi”, tha ai

Amerika për mjeshtër Gramozin është në Shqipëri. Ai asnjëherë nuk e ka parë të nevojshme të emigrojë.

“Sot mund të më japësh Amerikën dhe Kanadanë, unë këtu e realizoj vetë të gjithë Evropën dhe Amerikën, të gjitha i kemi të mirat këtu, po do të punosh“, tha ai.

Në servis Gramoz Habilaj ka punësuar disa djem që thotë se i paguan mirë. Është e rëndësishme shprehet 63-vjecari që të rinjtë të marrin një profesion të mirëpaguar.