Dita Ndërkombëtare e Tokës, thirrje për reduktimin e plastikës

26

Sot është Dita e Tokës dhe tema e këtij viti është “Planeti kundër plastikës” dhe bën thirrje për angazhime kolektive për të reduktuar ndotjen plastike me 60% para vitit 2040.

Në faqen zyrtare të Kombeve të Bashkuara, thuhet se Toka po dërgon qartë një thirrje për veprim. Natyra po vuan. Oqeanet mbushen me plastikë dhe bëhen më acide. Nxehtësia ekstreme, zjarret dhe përmbytjet, kanë prekur miliona njerëz.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro përmes një videoje në rrjetet sociale, tha se ky 22 prill vjen me thirrjen për sa më pak plastikë.

Ndryshimet klimatike, ndryshimet e bëra nga njeriu në natyrë si dhe krimet që prishin biodiversitetin, si shpyllëzimi, ndryshimi i përdorimit të tokës, intensifikimi i bujqësisë dhe prodhimi i blegtorisë ose tregtia e paligjshme e kafshëve të egra në rritje, mund të përshpejtojnë shpejtësinë e shkatërrimit të planetit.

Kjo është dita e tretë e Tokës që kremtohet në kuadër të Dekadës së OKB-së për Restaurimin e Ekosistemit. Rivendosja e ekosistemeve të dëmtuara do të ndihmojë për t’i dhënë fund varfërisë, për të luftuar ndryshimet klimatike dhe për të parandaluar zhdukjen masive.

OKB bën thirrje që të gjithë të luajnë një rol, në mënyrë që të arrihet suksesi.

Edhe Ambasada Amerikane në Tiranë theksoi në një postim online se, çdo veprim që ndërmarrim bën ndryshim, veçanërisht për të mbrojtur vijën bregdetare të mrekullueshme të Shqipërisë.

/ata.gov.al