Diva e planetit/ Ermonela Jaho me “Anima Rara” në krye të klasifikimeve në platformat digjitale

22
 Tashmë ajo ndodhet e para në listën e “Warner Classic” “Operat që duhet t’i dëgjosh” në disa nga platformat digjitale si: Spotify, iTunes & Deezer.
https://www.youtube.com/watch?v=JrPm32ynhXU
Është fjala për sopranon shqiptare Ermonela Jaho dhe albumin e saj të ri me titull “Anima Rara”.
Sopranoja jonë me famë botërore Ermonela Jaho e ka rregjistruar këtë album nëntorin e vitit të kaluar në Valencia.
Albumi përmban 70 minuta muzikë.
Rregjistrimi është kryer në “Palau de les Arts Reina Sofia” i Valencias (Spanjë) në nëntorin e 2019-ës.
Për këtë recital debutues ylli i skenës lirike Jaho bashkëpunoi me “Orquestra de la Comunitat Valenciana” nën drejtimin e dirigjentit Andrea Battistoni.
Albumi “Homazh Rosina Storchio-s. Anima Rara” sjell bashkë në një përmbledhje të vetme muzikën që ka kënduar sopranoja italiane Rosina Storchio, e njohur edhe për krijimin e rolit të Cio-Cio San në kryeveprën e Pucinit “Madama Batërflai” kur ajo u interpretua premierë në vitin 1904 në La Scala të Milanos.
Në këtë përmbledhje Ermonela interpreton ariet e Puçinit (“Un bel dì vedremo”, “Con onor muore… Tu? Tu? Piccolo Iddio” de Madama Butterfly), Leonkavalos (“Musette svaria sulla bocca viva”, “Mimì Pinson, la biondetta” de La bohème), Maskanjit (“Un dì (ero piccina)” de Iris; “Ah! Il suo nome!… Flammen, perdonami” de Lodoletta; “Son pochi fiori” de L’amico Fritz), Massenet (“Pendant un an je fus ta femme”; Prélude Acte V y “Demain je partirai” de Sapho; “Allons! Il le faut… Adieu, notre petite table” nga Manon), Giordano (“Nel suo amore rianimata” de Siberia), Verdi (“Teneste la promessa… Addio del passato” de La traviata) dhe Catalani (“Ebben? Ne andrò lontana” de La Wally).
Albumi doli në 25 shtator dhe u lancua fillimisht në orën 18.00 të kësaj date në faqen e FB të Opera Raras.
Ndërkohë “Sopranoja më e famshme në botë” sipas “The Economist”, apo “Madama Batërflai më e mirë që Londra ka parë në shumë vite” sipas “Independent”, e “ Paraqitjes triumfuese në Madama Batërflai” sipas the “Guardian” ndodhet në Greqi.
Shfaqja do të mbahet në datën 10 tetor në Sallën Stavros Niarchos të Operës Kombëtare të Greqisë.
Ja si e përshkruante vetë Teatri i Operës së Greqisë pjesëmarrjen e divës shqiptare: “E vetmja Ermonela Jaho, një nga sopranot më të rëndësishme të planetit është tashmë në Athinë për provat Madama Butterfly me Teatrin Kombëtar të Greqisë”.
Të dielën sopranoja shqiptare ishte në kopertinën e revistës “ΒΗΜagazino” e cila i kushtoi një vend të veçantë në faqet e saj me rastin e intervistës së parë të Ermonelës për një media greke.
Shitja e biletave ka nisur tashmë si për këtë shfaqje po ashtu edhe për shfaqjet e tetor-dhjetorit.
“Jam mirënjohëse që rikthehem në skenë, në këtë Teatër të mrekullueshëm të Operës Kombëtarëe Greke me “Madama Batërflain” duke punuar dhe ndarë shpirtrat tanë me këtë ekip të jashtëzakonshëm, i gjithi i përfshirë”, është shprehur vetë sopranoja Jaho.