Marketet e filmit janë shndërruar prej vitesh në boshtin kryesor të industrisë kinematografike në Europë, Amerikë, Azi, duke tërhequr profesionistë nga e gjithë bota, e duke u kthyer në vlerë të shtuar në sektorin artistik dhe kulturor të çdo vendi.
Për këtë arsye, Tiranës nuk mund t’i mungonte një market filmi, që këtë herë ka shumë arsye për të marrë gjithë vëmendjen e duhur.
Agjencia e Industrisë Kreative, bashkia Tiranë, sjell “BALKAN FILM MARKET” në këtë fundvit, duke u fokusuar njëherësh tek profesionistët vendas, kineastët e rinj të Ballkanit, ekspertë të fushës nga mbarë Europa, dhe mbi të gjitha institucionet dhe kompanitë e prodhimit më të njohura në Europë.
Në datat 13-17 dhjetor, në kryeqytet do të vijnë producentët dhe distributorët më të rëndësishëm nga e gjithë Europa, për të nisur një etape të re bashkëpunimesh në territorin e ballkanit.
Aktiviteti do të zhvillohet në ambientet e Piramidës, ku aspirantët për të nisur punën për filmin e tyre të parë, të përzgjedhur paraprakisht në bazë të aplikimeve të realizuara përgjatë dy muajve të fundit, do të punojnë individualisht me mentorë të huaj për të zhvilluar skenarin me të cilin përfaqësohen.
Paralelisht, kineastë nga rajoni do të prezantojnë projektet e tyre para producentëve dhe distributorëve të ftuar në BFM, duke pasur mundësinë të sigurojnë mbështetjen që u nevojitet në fazën e para ose pas prodhimit.
Në rrethin e mbi 300 të ftuarve, të cilët kthejnë sytë nga projektet Ballkanike, regjisorët e rajonit do të kenë mundësinë përgjatë pesë ditëve të promovohen, të zgjerojnë rrethin e njohjeve me emra të cilët kanë një historik të gjatë dhe të suksesshëm në industrinë filmike botërore, ku disa prej tyre te nominuar me çmime OSCAR. Përpos oportunitetit për ekspertët e fushës, nëpërmjet “Balkan Film Market”, Tirana do të shndërrohet në një pikë strategjike takimi për prodhuesit e filmit, që do ta njohin më nga afër kryeqytetin, duke e parë edhe nga këndvështrimi i një lokacioni të mundshëm për xhirime.
“Balkan Film Market” realizohet këtë herë në partneritet me bashkinë Tiranë, ambasadën Franceze, ambasadën Austriake, Institutin Italian të Kulturës, Filmmakers Europe, Qendrën e Artit “AGIMI”, nën organizimin e Agjencisë së Industrisë Kreative.
/ata.gov.al