Fondi 384.6 milionë lekë, gati projekti që ju jep fund përmbytjeve në Fushë-Krujë

329

Së shpejti pritet të marrë fund ‘makthi’ i banorëve të Fushë-Krujës nga përmbytjet që shkakton vit pas viti nga dalja nga shtrati e lumit Zezë. Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka hapur procedurat e tenderimit për ndërtimin e urës së re pranë këtij lumi si dhe për mbrojtjen nga përmbytjet.

Fondi limit i vënë në dispozicion për këtë investim kap vlerën e 384.6 milionë lekë, ku fondi i akorduar për vitin 2018 është 76.8 milionë lekë dhe pjesa e mbetur është parashikuar për vitin 2019.

Sistemimi i Lumit të Zezës është parë si një domosdoshmëri për të kontrolluar përmbytjet, pasi gjatë stinës së verës ai rezulton tepër i ndotur nga hedhja e ujërave të kanalizimeve dhe mbeturinave të qytetit.

Rrjedhja më e madhe e ujërave evidentohet gjatë muajve Tetor-Maj për shkak të reshjeve të shumta që bien në pellgun  të lumit të Zezës.

Projekti parashikon ndërtimi e një ure të re prej betoni, me gjerësi totale prej 17.8 m dhe me gjatësi prej 18.4 m. Nga detajet e projektit, ura do të ketë gjithashtu edhe dy trotuare nga 2.25 m secili. Ndërkohë, për rregullimin e trafikut në urë është parashikuar vendosja e të gjithë elementëve të nevojshëm të sinjalistikës horizontale dhe vertikale.

Grafiku i punimeve përfshin ndërhyrjen në dy urat ekzistuese, si atë të Autostradës dhe në atë të Hekurudhës duke bërë shtrimin me shtresë betoni.

Pjesë e investimit janë edhe ndërtimi i kanaleve kulluese, pajisja dhe funksionimi me pompa të përkohshme si dhe pajisje të tjera të nevojshme për të kulluar dhe zhvendosur ujin. Po ashtu, pjesë e punimeve janë edhe vendosja e pusetave, sistemi i tubacioneve kryesore, kanaleve funksionale.