FOTOT/ Kanioni i Shoshanit, mrekulli e natyrës që të magjeps

18

Parku Kombëtar i Luginës së Valbonës e bën Tropojën një nga destinacionet më të preferuara të turistëve, por Kanioni i Shoshanit i futur në të çarat e malit fsheh një bukuri natyrore të paimagjinueshme që turistët e presin me padurim.

Rreth 6 kilometra në verilindje të qytetit të Bajram Currit, në fshatin Shoshan në hyrje të parkut të Valbonës, lumi ka formuar një kanion fantastik mes masiveve malore të Shkëlzenit nga verilindja dhe të Alpeve në krahun e së ashtuquajturës “Maja e Potkuqit” nga perëndimi.

Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura përcolli pamje nga Kanioni i Shoshanit, monument natyre.

Kanioni i Shoshanit përfaqëson një kanion nga shkëmbinj gëlqerorë mesozoikë të formuar nga veprimtaria erozive e lumit Valbonë që është kthyer në atraksion turistik si dhe një ndër pikat më të rëndësishme për t’u fotografuar. Është i gjatë rreth 1,1 km, i thellë 40-50 m dhe i gjerë rreth 4-10 m. Ka shpate të thepisura që përbëjnë një ekosistem interesant karstik me vlera shkencore,gjeologjike,hidrologjike,ekologjike, dhe turistike. Vizitohet duke ndjekur rrugën Bajram Curri-fshati Shoshan.