Rreth 2500 fidanë pishe të butë u mbollën në parkun kombëtar Divjakë-Karavasta fundjavën që lamë pas.
Gjatë një aksioni të zhvilluar nga administrata e parkut, bashkia Divjakë, vullnetarët për “Atdhe të pastër”, Guida Divjakë, shkollat “Miti Zoi Zaka”, “Koli Sako”, shkollat nga Roshniku i Beratit, qytetarë, anëtarë të trupit diplomatik Tiranë etj.
Përveç mbjelljes së pemëve u mblodhën dhe 200 thasë me mbeturina plastike, që i kishte nxjerrë deti.
Kjo ditë shënon një rekord për sa i përket numrit të lartë të mbjelljes së fidanëve.
Gjithsej brenda këtij sezoni vetëm nga vullnetarët janë mbjellë 6000 fidanë, duke i shtuar Divjakës disa hektarë me pyje.
Në zonat e mbrojtura në vend vijon shtimi i sipërfaqeve të pyllëzuara me pemë të reja. Këto zona janë një pasuri me vlerë të çmuar jo vetëm për habitatin natyror, por edhe për zhvillimin e turizmit dhe të ekonomisë së vendit.