FOTOT – Njihuni me kopshtin përrallor në Tokio, ka 13 000 orkide “lundruese”

58

Durim, paqe dhe qetësi. Kjo është ajo që një ekip teknologësh, me bazë në Tokio, dëshiron që vizitorët të përjetojnë kur të hyjnë në veprën e re të artit, të quajtur “Kopshti i Luleve Lundruese – Lulet dhe unë jemi të së njëjtës rrënjë, kopshti dhe unë jemi një”.

I zbuluar gjatë verës, instalacioni përbëhet nga 13 000 orkide të gjalla. Lulet rriten përgjatë disa telave pothuajse të padukshme për të dhënë përshtypjen se po qëndrojnë pezull në ajër.

Sapo t’i afroheni perdes së orkideve, të nxitura nga sensorët, lulet ngadalë fillojnë të ngrihen, duke ju lejuar të hyni në hapësira boshe dhe duke iu diktuar rrugën, para se të ulen përsëri. “Ne po përdorim orkide të vërteta, por pas tyre ka shumë teknologji”, shpjegon Takeshi Kudo, drejtori i komunikimit në “teamLab”.

Për ekipin “teamLab”, i cili përfshin artistë, programues, inxhinierë, matematikanë dhe arkitektë, orkidetë ishin lulja perfekte për ekspozitën. Të prirura për t’u rritur “pa tokë”, ato dallojnë për elasticitetin e tyre, si dhe përshtatshmërinë me këtë vepër arti. “Orkidetë, kanë kaq shumë ngjyra dhe ka kaq shumë lloje të ndryshme. Ato mund të jetojnë pa tokë, dhe ne mund të mësojmë kaq shumë gjëra nga këto orkide, kanë më shumë histori sesa qeniet njerëzore”, thotë Takeshi Kudo.

Instalacioni me një dysheme pasqyrë, drita të ngrohta, aromë bimësh dhe melodi të kompozitorit Hideaki Takahashi, është padyshim një atraksion turistik për të gjithë vizitorët. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në fund të vitit 2022.