Frymëzim/ Teddy Stoddard, nxënësi më i dobët i cili u bë doktori më i famshëm në botë, falë mësueses së tij

69

Ai ishte një nxënës që qëndronte i strukur në stolin e tij në fund të rreshtit. Ai quhej Teddy Stoddard. Gjatë vitit të kaluar, mësuesja e kishte ndjekur me kujdes ecurinë e këtij nxënësi të çuditshëm. Themi kështu, pasi ajo kishte vënë re se Tedi nuk luante me fëmijët e tjerë, rrobat e tij ishin gjithmonë të palara, ashtu siç ishte dhe ai vetë.

Veç kësaj, ai nuk manifestonte qoftë dhe rrallë, atë gëzimin fëmijëror që shihet tek fëmijët e tjerë. Sa herë që mësuesja Tomson korrigjonte fletoret e tij, shënimet me stilolapsin e kuq mbushnin fletoren, për t’u vulosur me fjalën “ngelës” në fund.

Në shkollën ku ajo jepte mësim, drejtoria u kërkonte mësuesve që herë pas here t’u referoheshin dosjeve të nxënësve, ku regjistroheshin të gjithë vërejtjet e mësuesve, notat, sjellja dhe problematika të tjera. Një ditë, teksa ajo po plotësonte dosjen e Tedit, i tërhoqi vëmendjen diçka që nuk e kishte vënë re më parë. Mësuesja e Tedit, e klasës së parë fillore, kishte lënë një shënim për këtë nxënës.

Ajo shkruante: “Tedi është një fëmijë i zgjuar dhe me humor të mirë. Ai i kryen detyrat me kujdes dhe rregull. Veç kësaj, ai është një nxënës me edukatë të mirë.” Mësuesja e klasës së dytë, kishte shkruar: “Tedi është nxënës i dalluar dhe i talentuar. Të gjithë nxënësit e klasës e duan shumë. Por, kohët e fundit ai duket i mërzitur dhe i stresuar, për shkak se nëna e tij vuan nga një sëmundje e rrezikshme. Kjo ia ka shtuar vuajtjet kësaj familjeje”.

Mësuesja e klasës së tretë, shkruante: “Vde.kja e nënës së Tedit ishte një goditje e rëndë për të. Ai përpiqet ta kalojë këtë moment, por i ati nuk i kushton vëmendje. Jeta në familje do të ndikojë negativisht në formimin e Tedit, nëse nuk do i kushtohet kujdesi i duhur.”

Kurse mësuesja e klasës së katërt shënonte: “Tedi është një nxënës i mbyllur dhe nuk tregon asnjë interes për mësimet. Ai nuk ka shumë shokë dhe ndonjëherë e zë gjumi në orë të mësimit.”

Zonja Tomson e kuptoi ku çalonte puna me nxënësin e saj Tedi. Asaj i erdhi turp nga vetja, teksa i kujtoheshin disa qëndrime karshi këtij nxënësi. Asaj iu kujtua edhe dita kur të gjithë nxënësit i kishin sjellë nga një dhuratë për ditëlindje, të mbështjella në kuti të bukura.

Sakaq, dhurata e Tedit ishte mbështjellë me një qese plastmasi të thjeshtë, nga ato që të japin shitësit e zarzavateve në treg. Zonjës Tomson i kishte ardhur shumë zor teksa merrte në dorë dhuratën e Tedit, kurse disa nxënës kishin shpërthyer në të qeshura.

Ajo e kishte hapur kutinë dhe brenda saj kishte gjetur një varëse me gurë diamanti të imituar, ku mungonin disa syresh, si dhe një kuti parfumi përgjysmë të mbushur. Të qeshurat fëmijërore ishin ndërprerë vetëm në momentin kur zonja Tomson ishte shprehur e mrekulluar nga ai varg gurësh, të cilin menjëherë e kishte vënë në qafë. Këtë akt, e pason me vendosjen e disa pikave të parfumit në kyçet e duarve.

Atë ditë, Tedi nuk u nis menjëherë për në shtëpi, por u vonua për t’u takuar me mësuesen e tij, zonjën Tomson, të cilës i tha: “Aroma jote sot, është njëlloj si aroma e mamit tim.”

Pasi u larguan të gjithë fëmijët nga klasa, zonja Tomson shpërtheu në të qara, të paktën për një orë. Nxënësi i saj Tedi, i kishte sjellë si dhuratë, parfumin që përdorte nëna e tij.

Ai kishte ndjerë tek ajo aromën e nënës së tij të vde.kur tashmë. Që nga ajo ditë, zonja Tomson nuk u mësonte nxënësve të saj vetëm lëndën e leximit, por i ndihmonte edhe për lëndët e tjera. Për Tedin, ajo filloi të tregojë një kujdes të veçantë.

Pak nga pak, Tedit filloi t’i rizgjohej kujdesi dhe aftësia për t’i përthithur mësimet. Sa më shumë motivohej nga ana e mësueses, aq më shumë shtohej vullneti i tij. Në fund të vitit shkollor, Tedi ishte nxënësi më i dalluar i klasës, më i zgjuari dhe më i përkëdheluri i mësueses.

Pas një viti të ngjeshur me aktivitet, zonja Tomson gjen një shënim në tavolinë nga nxënësi i saj Tedi. Ai i shkruante: “Ti je mësuesja më e mirë që kam parë.”

Kaluan gjashtë vite dhe zonja Tomson nuk mori asnjë letër tjetër prej Tedit. Pas këtyre viteve, ai i shkruan se kishte përfunduar gjimnazin dhe se kishte zënë vendin e tretë tek të dalluarit në klasë. Në fund, i shkruante se ajo vazhdonte të zinte vendin e parë si mësuesja më e mirë me të cilin ishte takuar në jetë.

Katër vite më vonë, zonja Tomson merr një letër tjetër nga Tedi ku i shkruante

: “Gjërat janë vështirësuar se jeton në konviktin e universitetit dhe se së shpejti do të diplomohet me rezultate të larta. Në fund, nuk harroi që t’i kujtojë se ajo mbetej mësuesja më e mirë që kishte pasur në jetë. Pas katër vitesh të tjera, Ted i shkruante mësueses së tij se pas studimeve universitare, kishte vendosur të kalonte në një stad më të lartë.

Sigurisht, edhe këtë herë i theksonte në fund të letrës se ajo vazhdonte të mbetej mësuesja më e mirë. Por, këtë herë emri i tij me të cilin mbyllte letrën, ishte paksa më i gjatë se zakonisht: Doktor Teodor F. Stoddard.

Historia nuk përfundon me kaq, pasi në një letër tjetër në pranverë i thoshte se ishte njohur me një vajzë, me të cilën do të martohej. Veç kësaj, i kërkonte mësueses që të vinte në dasmë dhe të qëndronte në vendin që zakonisht i rezervohet nënës së dhëndrit, kërkesë të cilën zonja Tomson e pranoi.

Më e çuditshmja është se zonja Tomson ditën e dasmës vë në qafë të njëjtën varëse që Tedi ia kishte dhuruar për ditëlindje, kushedi sa vite më parë, të cilës i mungonin dhe disa gurë. Por jo vetëm, ajo nuk kishte harruar të parfumohej me të njëjtin parfum i cili i kishte kujtuar Tedit nënën e tij. Të dy u përqafuan me mall dhe Tedi i pëshpërit mësueses së tij në vesh: “Të falënderoj për besimin që më ke dhënë. Të falënderoj thellësisht nga zemra që më bëre të ndihem se jam i rëndësishëm.

Të falënderoj që më bëre të besoj se edhe unë mund të jem i suksesshëm dhe të bëj ndryshimin.” Sakaq zonja Tomson ia ktheu me lot në sy: “Jo, e ke gabim. Ti më mësove mua si të jem mësuese e dalluar. Unë nuk ia kisha haberin nga mësimdhënia, derisa u shfaqe ti.”

Për ju që nuk e njihni, Teddy Stoddard, është doktor me famë, emrin e të cilit e mban pavioni i trajtimit të tumoreve në spitalin e Des Moines në shtetin e Aiva. Ai konsiderohet si qendra më e mirë për trajtimin e tumoreve në nivel të SHBA-ve.