“Gjelaci symadh, vrapuesi i vogël, kalorësi”, surpriza nga monitorimi i shpendëve në Vjosë (FOTOT)

17

Grupi i vullnetarëve të “Shpendëve të Shqipërisë” dhe “Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri” (PPNEA) gjatë sezonit të folezimit të këtij viti, realizuan një kërkim mbi shpendët folezues në rrjedhën e lumit Vjosë.

Zonat e përzgjedhura për monitorim përfaqësohen nga zallishtet e gjera që fillojnë nga Radati e Glina në kufi me Greqinë deri përballë fshatit Anëvjosë në afërsi të fillim rrjedhës së poshtme, të cilat u arritën kryesisht nëpërmjet varkës, por edhe në rrugë tokësore në disa raste.

Në fokus të këtij studimi ishin shpendët folezues të ndërvarur me habitatin në fjalë.

“Nga ky studim u vërtetuan si lloje folezuese dhe u hartëzuan zonat e folezimit për: (i) gjelacin symadh (Buhrinus oedicnemus); (ii) vrapuesin e vogël (Charadrius dubius) dhe (iii) pulëbardhën këmbëverdhë (Larus michaellis). Gjithashtu, si folezues i mundshëm u regjistrua edhe kalorësi (Himantopus himantopus). Folezimi i vrapuesit të vogël u has pothuajse në 90 % të sipërfaqeve të monitoruara, folezimi i gjelacit të madh në rreth 60 % të tyre, ndërsa folezimi i pulëbardhës këmbëverdhë vetëm në disa zona ishullore”,- thekson shoqata “Shpendët e Shqipërisë”.

Ky studim, u ndërmor në kuadër të veprimtarisë së përgjithshme që grupimi i vullnetarëve të “Shpendëve të Shqipërisë” dhe PPNEA ndërmarrin në favor të ruajtjes së Zonave Kryesore të Biodiversitetit që janë në rrezik, sikurse është rasti i lumit Vjosë.

“Besojmë që ky kontribut, ndonëse modest i shërben kauzës. Është planifikuar që të dhënat e plota dhe të detajuara të bëhen të ditura  brenda këtij viti dhe të jenë të arritshme për këdo që ka interes”, – tha shoqata “Shpendët e Shqipërisë”.