Ikonostasi i Kishës së Shën Marisë në Kalanë e Beratit, ndër pasuritë më të vyera të trashëgimisë kulturore

42

Kisha e Shën Mërisë është kisha më e madhe sot ekzistuese në Kalanë e Beratit, pikërisht ky monument aktualisht përdoret si Muzeu Ikonografik Onufri.

Ajo ka qenë kisha katedrale e qytetit dhe së bashku me ndërtesat e mitropolisë formonte një kompleks, i cili ngrihej në pikën më të lartë të lagjes. Madhështia e saj të bie në sy që në ngjitje të kodrës nga ana veriore e kalasë me dy kupolat e saj dhe këmbanoren.

Nga kompleksi i dikurshëm mitropolit, sot ruhet vetëm kisha e ndërtuar në vitin 1797, por mendohet se është ngritur mbi rrënojat e një kishe më të hershme. Pamja e kishës dhe detajet e saj arkitekturore nuk mund te shihen qartë sot pasi monumenti është i rrethuar nga shumë banesa përreth. Përveç vlerave arkitekturore, kisha përmban edhe vlera të spikatura të arteve të aplikuara si ikonostasi e froni peshkopal, të gdhendura me një mjeshtëri të lartë.

/ata.gov.al