Inflacioni në ngadalësim, zbret në 4.5 % në qershor

0

Inflacioni, i cili mat ndryshimin vjetor të çmimit të mallrave, po vijon rënien për të shtatin muaj me radhë, duke nisur nga nëntori i 2022-shit.

Instituti i Statistikave publikoi sot Indeksin e Çmimeve të Konsumit, sipas të cilit ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin qershor 2023 është 4.5 %, një vit më parë ky ndryshim ishte 7.4 %. Ndryshimi mujor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin qershor 2023, krahasuar me maj 2023 është -0,3 %.

Krahasuar me muajin qershor 2022, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupet “ushqime dhe pije joalkoolike” dhe “argëtim dhe kulturë” me 10.3 % secili, pasuar nga grupet “mobilie, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 6.2 %, “hotele, kafene dhe restorante” me 4.8 %, “veshje dhe këpucë” me 4.4 %, “mallra dhe shërbime të ndryshme” me 4 %, “pije alkoolike dhe duhan” me 3.7 %, “shërbimi arsimor” me 2.2 %, “qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 2.1 %, “komunikimi” me 1.4 % dhe “shëndeti” me 1.2 %.

Ndërsa çmimet e grupit “transporti” shënuan ulje me 16.2 %.

Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet” u rritën me 26.1 %, pasuar nga nëngrupet “qumësht, djathë dhe vezë” me 14.4 %, “mish” me 10.9 %, “fruta” me 9.6 %, “peshk” me 9 %, “sheqer, reçel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira” me 4.3 %, “bukë dhe drithëra” me 4.0 %, etj. Ndryshimet mujore të grupeve kryesore.
Krahasuar me muajin maj 2023, çmimet e grupit “ushqime dhe pije joalkoolike” u ulën me 1.2 % pasuar nga çmimet e grupit “transporti” me 0.3 %.

Nga ana tjetër, çmimet e grupit “argëtim dhe kulturë” u rritën me 1.8 %, pasuar nga “veshje dhe këpucë” me 0.4 %, “mobilie, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” dhe “hotele, kafene dhe restorante” me 0.3 % secili dhe “mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0.2 %.

/ata.gov.al