Inflacioni, i cili mat ndryshimin vjetor të çmimit të mallrave, po vijon rënien duke arritur kështu nivelin më të ulët që prej fillimit të luftës së Rusisë në Ukrainë.
Instituti i Statistikave publikoi sot Indeksin e Çmimeve të Konsumit, sipas të cilit ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin tetor 2023 është 3.8 %, një vit më parë ky ndryshim ishte 8.3 %.
Por sërish çmimet e grupit të ushqimeve mbeten të larta.
Sipas INSTAT-it, krahasuar me muajin tetor 2022, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “argëtim dhe kulturë” me 7.6 %, pasuar nga grupet “ushqime dhe pije joalkoolike” me 7.4 %, “mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 5.2 %, “hotele, kafene dhe restorante” me 4.8 %, “pije alkoolike dhe duhan” me 3.6 %, “veshje dhe këpucë” me 3.2 %, “shërbimi arsimor” dhe “mallra dhe shërbime të ndryshme” me 2.9 % secili
Nga ana tjetër çmimet e grupit “transporti” shënuan ulje me 8.3 %.
Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet” u rritën me 23.4 %, pasuar nga nëngrupet “qumësht, djathë dhe vezë” me 8.4 %, “mish” me 7.9 %, “fruta” me 6.1 %, “peshk” me 4.5 %, “sheqer, reçel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira” me 4 %, “bukë dhe drithëra” me 1.2 %, etj.
/ata.gov.al