Ish i përndjekuri 90-vjeçar rikonstruktoi pallatin me paratë e dëmshpërblimit

342

Nga ferri i burgjeve të diktaturës në një shembull frymëzimi për komunitetin. Thanas Dhespo i ka kaluar të 90-tat, ndonëse mbi kurriz mban vuajtjet e 16 viteve në burgjet politike, të cilat diti t’i kthejë në shpresë dhe humanizëm. Për shkak të moshës, por edhe të emocioneve, ai e ka të vështirë të shprehet me fjalë, por jo me shembuj në komunitet. Së bashku me Nicën, bashkëshorten e tij, ata vendosën të bëjnë diçka që rrallë ndodh në komunitetet tona, duke surprizuar jo vetëm fqinjët më të cilët ndajnë pallatin ku jetojnë, por edhe banorët e lagjes përreth.

Një pjesë të parave që mori për vitet e burgut, pas ndryshimit të ligjit në vitin 2014, sipas të cilit ish të dënuarit e gjallë e përfitonin të parët dëmshpërblimin, Thanasi i investoi jo në shtëpinë e tij, por në të mirë të komunitetit. Ai rikonstruktoi hyrjen dhe shkallët e gjithë pallatit, duke u bërë kështu një model për gjithë komunitetin.

Duke e cilësuar si një shembull frymëzimi në kryeqytet, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, bëri një vizitë në shtëpinë e ish të përndjekurit politik, Thanas Dhespo, të cilit i dha edhe medalje e mirënjohjes së qytetit.

Burimi: Shqip.com