Ismail Kadare në panairin e librit “Prishtina 2023”: Letërsia shqipe do rikthehet më e fortë

8

Panari i librit “Prishtina 2023” u çel sot me praninë e një figure të shquar të letërsisë shqipe, shkrimtarin Ismail Kadare. Në panairin e Prishtinës, Kadare është i ftuari i nderit duke u cilësuar në hapjen e eventit si forcë gjigante e ngritjes së gjuhës e kulturës shqiptare, por edhe zë për liri.

Para të pranishmëve, shkrimtari Ismail Kadare teksa shprehu gëzimin për praninë e tij në këtë panair, tha se, ai shpreson se letërsia shqiptare do të rikthehet më mirë e më fortë.

Në edicionin e 23-të të panairit të librit “Prishtina 2023”, marrin pjesë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe diaspora. Shoqata e Botuesve të Kosovës ka bërë të ditur se janë rreth dy mijë tituj të rinj.

Në kuadër të panairit do të shënohen edhe disa përvjetorë si: 120-vjetori i lindjes së Ernest Koliqit, 110-vjetori i lindjes së Petro Markos, dhe 100-vjetori i lindjes së Jakov Xoxës.

Panairin pritet ta vizitojnë rreth 40000 vizitorë, studentë, nxënës të shkollave të mesme dhe fillore të Kosovës, qytetarë dhe personalitete të shquara nga jeta akademike, letrare, politike e intelektuale.

Panairi do të qëndrojë i hapur deri pasditen e 11 qershorit.

/ata.gov.al