Kampionati i Debatit/ 31 shkolla të mesme nga 15 qytete

71

31 shkolla të mesme nga 15 qytete të vendit janë përfshirë në edicionin e dytë të Kampionatit të Debatit.

Pas suksesit të projektit “Re-Debate 4.0, Rigjallërimi i kulturës së debatit”, Organizata Liburnetik ka nisur zbatimin e edicionit II të Kampionatit të Debatit, me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërin dhe me mbështetjen institucionale të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë.

Këtë vit stafit organizator i është bashkuar edhe Kongresi Kombëtar Rinor, i cili do të ndjekë dhe do të japë kontributin e tij në çdo fazë përgjatë rrugëtimit në të gjithë Shqipërinë.

Nën logon “Re-Debate 4.1 – Rigjallërimi i kulturës së debatit”, edicioni II ka nisur në qytetin e Tiranës me fazën e trajnimeve për të vazhduar me qytet e tjera që janë pjesë e këtij edicioni.

Në projekt këtë vit janë përfshirë 31 shkolla të mesme si një aktivitet jashtë kurrikular dhe do të ketë një shtrirje në 15 qytete të vendit, Shkodër, Kukës, Rrëshen, Burrel, Lezhë, Tiranë, Kamëz, Krujë, Fushë-Krujë, Durrës, Gramsh, Berat, Fier, Elbasan dhe Korçë.

Qëllimi i projektit mbetet kultivimi i mendimit kritik përmes fokusimit tek forca e argumenteve, zhvillimin e etikës në komunikim dhe frymës së tolerancës. Ky format do të zhvillojë gjithashtu edhe aftësitë e të punuarit në grup dhe do i afrojë të rinjtë drejt një modeli debati konstruktiv dhe vlerave të qytetarisë aktive.