Kisha e Shën Anës, monument kulture i kategorisë së parë

10

Kisha e “Shën Anës” (Panajotopulla) mbi fshatin Dervician daton në shek.XVI dhe është monument kulture i kategorisë së parë, por që njihet pak nga vizitorët.

Drejtoria rajonale e trashëgimisë kulturore Gjirokastër solli të dhëna për këtë monument kulture.

Kisha e Shën Anës është ndërtuar në një pllajë të lartë mbi fshatin Dervician, në një territor të mbushur me rrënoja të   një vendbanimi të hershëm. Kisha është e vogël me përmasa të brendshme 4,5m x 2,9 m, por me interes për sa i përket ndërtimit të saj struktural. Eshtë në formë salle e mbuluar me qemer cilindrik. Në muret gjatësore dalin pilastra,të cilat lidhen me harqe në të dy drejtimet. Harqet tërthore shërbejnë si brinjë rigjiditeti (qëndrueshmërie) të qemerit ndërsa ato gjatësore shërbejnë si mbështetje të këtij qemeri,duke krijuar nike në muret veriore dhe jugore.

Ambienti i altarit ndahet me një ikonostas prej muri, i cili ka dy hyrje dhe dy vende  ikonash të mëdha.Apsida e bemes del jashtë në formë rrethore. Ndriçimi është shumë i paktë dhe vjen nga dritare të vogla të hapura mbi portën perëndimore dhe në apside.

Pjerrësia e terrenit mbi të cilin ngrihet kisha ka lehtësuar ndërtimin e një qimitri gjysëm të futur në shkëmb. Ai ka forme katrore me një kollonë në mes ,e cila lidhet  me muret perimetrale me harqe ,duke krijuar katër bërthama katrore,dy prej të cilave mbulohen me kupola ,ndërsa dy të tjera me qemer cilindrik.

Muratura është ndërtuar me gurë shtresorë, me vendosje të rregullt të tyre. Kisha është e zhveshur nga çdo përpunim dekorativ. Të vetmet elemente dekorative jane nikja mbi portë dhe dritarja dyfishe mbi të e mbuluara me harqe tulle.

/ata.gov.al