Kur është koha për të ndryshuar karrierën tuaj?!

348

A është ky momenti i duhur për të menduar në lidhje me ndryshimin e karrierës suaj profesionale?

Gjithkujt prej nesh mund t’i ketë ndodhur që në një moment të caktuar të jetës, të ulet e të reflektojë në lidhje me zgjedhjet që ka bërë, siç është edhe karriera, nëse është ajo e duhura apo mund të kishte zgjedhur edhe ndonjë rrugë tjetër.

Më poshtë do të lexoni disa arsye të cilat do t’ju bëjnë që të reflektoni në lidhje me karrierën tuaj:

Asnjë progres

Nëse ndaloni për një moment dhe reflektoni për të gjithë progresin që ju keni pasur gjatë një viti pune dhe shikoni se asgjë e rëndësishme nuk ka ndryshuar edhe pse ka kaluar një vit i tërë, atëherë ju duhet ta shikoni me prioritet këtë gjë.

Nëse ju jeni të bindur që viti i ardhshëm do të ketë ndryshime, ju do të keni rritje në detyrë, do të merrni projekte të reja, atëherë viti i kaluar nuk ju ka shkuar dëm. Por, ekziston edhe ana tjetër e medaljes. Nëse ju jeni të bindur që edhe gjatë vitit të ardhshëm, situata do të jetë e po e njëjtë me atë të një viti më parë dhe kompania në të cilën ju punoni nuk ju ofron asnjë mundësi për t’u rritur profesionalisht, atëherë është momenti për të bërë lëvizjen e duhur.

Rutinë mbytëse

Nëse e gjeni veten ditë pas dite të zhytur në rutinën mbytëse të punës tuaj, atëherë është momenti i duhur për të ndryshuar dhe mbase të zgjidhni një rrugë tjetër. Nëse ju e bëni punën tuaj, sepse ajo duhet bërë, por në fakt nuk është ajo çka do të dëshironit të bënit, atëherë është momenti i duhur për të reflektuar mbi ëndrrat tuaja në fillim të karrierës, pritshmëritë dhe dëshirat që kishit dhe pse jo t’i ktheni ato në realitet.

Jeni të lodhur dhe të stresuar

Ekzistojnë dy lloj lodhjesh profesionale, ato të mira dhe ato të këqija. Lodhjet e mira vijnë si rrjedhojë e një pune intensive, por në fund të së cilës ju arrini rezultate pozitive. Ndërsa ana tjetër, lodhjet e këqija ndodhin zakonisht kur ju sforcoheni, punoni jashtë orarit, jepni maksimumin tuaj dhe gjithsesi pa asnjë rezultat të dukshëm. Nëse edhe lodhja juaj bën pjesë në këtë të dytën, atëherë edhe për ju është momenti i duhur për të reflektuar mbi karrierën tuaj.

Burimi: Revista Monitor