Mjeshtrat e Vlorës marrin pjesë në Panairin Ballkanik të Artizanëve

85

Mes më shumë se 100 artizanëve pjesëmarrës nga vende të ndryshme të Ballkanit, grupi i artizanëve nga qyteti bregdetar i Vlorës, me shumëllojshmërinë e punimeve, por edhe përmes artit të punimeve, krijuan një performancë të padiskutueshme vlerash dhe paraqitjeje në panairin ndërkombëtar të Artizanëve në Ulqin, Mali i Zi.

Në Panairin Ndërkombëtar të Artizanëve, organizuar nga Komuna e Ulqinit dhe shoqata “Globus Art”, mjeshtrat e ardhur nga  Vlora befasuan me paraqitjen gati spektakolare jo vetëm nga shumëllojshmëria e produkteve, por mbi të gjitha nga arti i të punuarit.

Një grup zejtarësh, mjeshtra të vërtetë të gdhendjes në dru, por edhe të punimit me guacka e guraleca, të bazorelieveve e imitacioneve gjithfarësh artistike, të anijeve antike detare e të sa e sa motiveve baritore, gati e “pushtuan” artistikisht shëtitoren përfund qytetit e ndanë plazhit në krahë të Kalasë iliriane, aty në Ranën e hedhun.