Mozaiku, tashmë një arsye më tepër për të vizituar fshatin piktoresk të Linit

1080

Fshati piktoresk i Linit, i shtrirë rrëzë një gadishulli të vogël shkëmbor që zhytet thikë në liqenin e Ohrit ka adhuruesit e tij të cilët këtë sezon turistik kishin arsye shtesë për të ndalur hapin: mozaiku i bazilikës së shekullit IV-V është i hapur për vizitorët.

Ngjyrat më të përdorura për zbukurim janë e bardha, e zeza, e kuqja, kafja, jeshilja, e verdha dhe portokallia. Për ndërtimin e mozaikëve janë përdorur gurë të vegjël në formë kubikësh (tesera) me përmasa 1×1 cm, të cilët kanë më së shumti përbërje gëlqerore, por nuk mungojnë as kubikët prej mermeri, ata prej tulle apo kubikët prej brumi qelqi.

Përveç pjesës së Pastoforit, pjesa tjetër e Bazilikës qëndron ende nën rërë.

Gërmimet ndër vite dhe studimet arkeologjike kanë treguar se në shtresën arkeologjike që i përket shek. X-XI, ka gjurmë të një zjarri masiv. Pikërisht gjatë kësaj periudhe, bazilika mendohet të jetë djegur deri në themel pasi vihet re se muret e saj janë rrafshuar tërësisht. Pas diegies, ajo nuk është rindërtuar më.

Ekspozimi i mozaikut të Linit ka tërhequr tashmë vëmendjen e turistëve të huaj.