Muzeu Historik Kombëtar rihapi për gjithë vizitorët vendas dhe të huaj ekspozitën “Shqipëria dhe shqiptarët në tablotë e autorëve evropianë të shekullit XIX”.
Ekspozita, e konceptuar dhe përgatitur nga Muzeu Historik Kombëtar, përmban 45 riprodhime të tablove, ku shqiptarët hynë gjerësisht në tablotë e piktorëve të huaj veçanërisht në vitet e para të shekullit XIX.
Pas revolucionit francez e sidomos pas fitores së revolucionit grek, një sërë artistësh, shkrimtarësh, historianësh dhe arkeologësh, por në veçanti piktorët francezë, anglezë, italianë, gjermanë dhe zviceranë trajtuan temën shqiptare.
Shqiptarët u shfaqën në tablotë e tyre me profile e karaktere të ndryshme: herë në pozicione luftarake e herë në pamje të qeta meditimi, apo portrete të lira, ku secili nga piktorët ka shprehur origjinalitetin dhe stilin e tij piktural.
Në gjithë imazhet e punuara nga piktorët e shekullit XIX, ajo që bie në sy është një lloj vitaliteti i karaktereve dhe kostumeve tradicionale shqiptare. Këto karaktere nuk janë krijuar thjesht nga imagjinata, por nga një pikëtakim i drejtpërdrejtë i tyre me këta personazhe.
Këto tablo janë një pjesë e asaj krijimtarie të madhe të piktorëve evropianë të shekullit XIX, të cilët, krahas ekzotizmit përmes figurave, kompozimeve dhe ngjyrave dhanë edhe dramacitetin, tragjizmin apo atë lirizëm të pakët që mund të ekzistonte në atmosferën e rëndë të një pushtimi perandorak. Përveç kësaj, këta piktorë mundësuan që gjeneratat e sotme të kenë mundësinë të shikojnë si figura reale tipin shqiptar gjatë atij shekulli dhe dramën që ngjizte ai në vetvete.
Ne nuk do të mund t’i imagjinonim ashtu siç duhej figurat e suljotëve pa parë pikturat e Louis Dupré, ne nuk do të mund të imagjinonim imazhin e shqiptarit pa parë pikturat e J. L. Gérôme, mishërimin e luftës së Marko Boçarit pa parë tablotë e Delacroix, fytyrën e së resë shqiptare pa parë tablonë e Corot, e cila u kthye në një tablo emblematike.
Përmes tablove të piktorëve evropianë të shekullit XIX, në imagjinatën tonë rikrijohet jeta e shqiptarëve në trojet e tyre dhe përtej kufijve, në rrugëtimet e gjata të historisë. Një plejadë e tërë artistësh të mëdhenj na ofrojnë sot imazhin e shqiptarit të shekullit XIX, figurën e tij herë heroike, herë tragjike dhe herë lirike.
Ekspozita qëndron e hapur në sallën e Hollit Kryesor të Muzeut Historik Kombëtar.
/ata.gov.al