Ndërhyrje komplekse kirurgjikale në spitalin “Shefqet Ndroqi”; Pacientja 75-vjeçare gëzon shëndet të mirë

39

Personeli i Shërbimit të Kardiokirurgjisë në Spitalin e Qendrës Universitare “Shefqet Ndroqi” në Tiranë realizoi me sukses një ndërhyrje komplekse tek një paciente 75-vjeçare.

Një ndërhyrje komplekse për zëvendësimin e aortës ascendente dhe e harkut me “debranching” të degëve supraaortike” është realizuar me sukses nga personeli i Shërbimit të Kardiokirurgjisë në Spitalin“ QSR Tiranë Shefqet Ndroqi” te një paciente 75-vjeçare. Falë diagnostikimit dhe ndërhyrjes në kohë, pacientja gëzon shëndet të mirë dhe mund të rifillojë një jetë normale.

Mjekët kirurgë dhe anestezistë që realizuan ndërhyrjen janë dr. shk. Albi Fagu, dr. Ketion Menkshi, prof. Saimir Kuçi, dr. Stavri Llazo, prof. Sokol Xhepa, dr. Anri Gongo, dr. Nevila Çaushi, si dhe personeli infermieror Marinela Guri, Samet Mulaj, Ervisa Kurti, Mirjeta Almeta dhe Manushaqe Hoxha, të cilët asistuan gjatë ndërhyrjes kirurgjikale.

Dr. shk. Albi Fagu tha se “kemi realizuar një ndërhyrje tek një paciente 75-vjeçare, e cila u paraqit me një zgjerim të aortës prej 65 milimetrash. Veçoria e këtij operacioni qëndron në faktin se gjatë zëvendësimit të këtij segmenti të aortës duhen reinseruar edhe arteriet që furnizojnë trurin”.

Sipas tij, kjo ndërhyrje paraqet një nivel të lartë kompleksiteti kur realizohet edhe në klinikat më të mira evropiane dhe kërkon një bashkëpunim maksimal të personelit mjekësor dhe teknologjisë së përshtatshme.

Në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi” po kryhen një sërë ndërhyrjesh delikate tek pacientët.

/ata.gov.al