Në “Ishullin e Pelikanit”, krijohet infrastruktura ku zogjtë ngrenë foletë e tyre

115

Punonjësit e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura Fier, në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta po rregullojnë ishullin e Pelikanit, ku zogjtë ngrenë foletë e tyre, pasi është koha e riprodhimit.

Ishulli është pak centimetër mbi nivelin e ujit të lagunës dhe pelikanët zakonisht i bëjnë foletë 30-40 cm të larta. Por kur batica është e lartë, uji mbulon foletë, me pasoja të rënda për procesin e riprodhimit. Për këtë arsye, çdo vit punonjësit vendosin materiale drusore në ishull, duke krijuar grumbuj rreth 1 metër të lartë dhe mbi to pelikanët fillojnë të ndërtojnë foletë e tyre. Në këtë mënyrë uji nuk është më një rrezik për ta.

Punonjësve të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura Fier iu bashkuan edhe specialistë të Noè Conservation,PPNEA, të AOS dhe banorë të zonës.

Ajo që e bën të rëndësishme këtë lagunë është numri i lartë i shpendëve ujorë dimërues. Në brendësi të kësaj lagune, ndodhet dhe ishulli i folenizimit i pelikanit Kaçurrel, një shpend në rrezik zhdukje, por që specialistët po kujdesen shumë për të.

Prej 3 vite e gjysmë, specialistët e mbrojtjes të qarkut të Fierit bashkëpunojnë me shkollat duke bërë dhe aktivitetet ndërgjegjësuese, duke dhënë mësime në shkolla mbi njohjen e faunës dhe florës së zonës.

Gjithashtu, dhe moratoriumet e gjuetisë e kanë shndërruar këtë park tashmë në “shtëpinë” e sigurt të pelikanit Kaçurrel.

Parku i Divjakë-Karavastasë, çdo ditë e më shumë po bëhet i vizitueshëm nga turistë të huaj dhe vendas. Turizmi i vëzhgimit të shpendëve ujorë është kthyer tashmë në një atraksion edhe për vizitorët e huaj.