Në Korçë shpesh mes kangjellave të shtëpive, oborret duken plot me lule. Aroma dhe ngjyrat tërheqin vëmendjen e kujtdo që kalon aty ndërsa për banorët e këtij qyteti kjo është një prej gjërave që në Korçë ka nisur herët dhe vazhdon ende duke i kthyer oborret në minikopshte të veçanta.
Gjergji Grabocka është 72 vjeç dhe kalon me orë tëra duke u përkujdesur për lulet. Ai ka nisur të merret me lulet që në moshën 16 vjeçare dhe pas 56 vitesh përkujdesje me modesti tregon për momentet e para kur ai vendosi të gjejë nga jashtë shqipërisë bime te tjera.
Gjergji preferon begonjat, dhe në oborrin e tij ka 130 vazo me të tilla, krahas luleve të tjera të cilat i ka harmonizuar bukur me njëra-tjetrën. E ndërsa thotë se e nis ditën me lulet dhe e mbaron me to, Gjergji ka ende vazot dhe të njëjtën bimë që mbolli për herë të parë.
Vështirë se mund të gjendet diçka që i ka shpëtuar vëmendjes së Gjergjit në këtë hapësirë të gjelbër e plot ngjyra. Vazot janë pastruar e sistemuar nga cdo lloj barishte, oborri të ofron aromë lulesh e këngë zogjsh ndërsa Gjergji pret miqtë që shpesh herë vijnë enkas për të vizituar oborrin dhe lulet.