Nis faza e dytë e punimeve në sheshin “Skendërbej”

398

Faza e dytë e punimeve në sheshin Skënderbej të kryeqytetit do të kushtojë 978 milionë lekë  (7.1 milionë euro) sipas shpalljes që u bë në Buletinin e Prokurimeve Publike. Kontrata është lidhur ndërmjet Bashkisë së Tiranës dhe kompanisë “Fusha”, e cila ka mbaruar edhe punimet e fazës së parë, të cilat kushtuan 527.5 milionë lekë ose 4 milionë euro.

Gjithsej, vlera e punimeve për rikualifikimin e sheshit Skënderbej në dy fazat e para kushtoi 1.5 miliardë lekë ose rreth 11 milionë euro. Kjo shumë ishte sa 10% e të ardhurave vjetore që Bashkia e Tiranës realizoi më 2016. Në njoftimin për shpalljen e fituesit të fazës së dytë nuk pati asnjë ankesë dhe kontrata tashmë është shpallur.

Faza e dytë do të realizohet në një afat 12-mujor dhe do të kompletojë projektin e sheshit Skënderbej me punimet që do të kryen në kopshtet përreth tij.

Të gjitha këto zona punimesh janë të ndara në segmente të ndryshme kantieresh të vogla, për të bërë të mundur qarkullimin e qytetarëve.

Me përfundimin e  punimeve, sheshi Skënderbej do të kthehet në një pedonale dedikuar këmbësorëve. Ky projekt ka devijuar tërësisht trafikun, duke rënduar qarkullimin në kryeqytet edhe pas përfundimit të tij.

Burimi: Lexo.al