Opera e Kosovës nderon regjisorin Nikolin Gurakuqi duke promovuar librin kushtuar punës së tij

6

Opera e Kosovës organizoi promovimin e monografisë kushtuar regjisorit të mirënjohur të operave, Nikolin Gurakuqi, me autore Floriana Odhise Paskali.

Në këtë ngjarje që u realizua në kuadër të bashkëpunimeve të kalendarit të përbashkët kulturor Kosovë-Shqipëri, morrën pjesë personalitete të shquara të artit dhe kulturës.

Për monografinë foli autorja Floriana Odhise Paskali e cila shpalosi përmbajtjen e librit, një enciklopedi e punës regjisoriale të mbi 80 shfaqjeve të realizuara operistike, në 44 vite përvojë regjisoriale, me risi dhe inovacione.

Të pranishëm në takim, ishin: piktori Leonardo Voci, dirigjenti Edmond Doko, baritoni Ylber Gjini, etj. Promovimi u moderua nga prof. assoc. Besa Luzha, përfaqësuese e këshillit të Operës së Kosovës.

Ndërsa për programin artistik u përkujdes kori i fëmijëve “Okarina” me fragmente dhe koralet nga operat e njohura botërore dhe atyre shqiptare.

Regjisori Nikolin Gurakuqi falenderoi për ftesën dhe promovimin e punës së tij para publikut të Prishtinës si dhe ndau me publikun një poezi të tij duke qenë se po vazhdon rrugëtimin artistik në shtigje të reja si poezia dhe tregimet, botimet e të cilave priten së shpejti.

Opera e Kosovës është e përkushtuar për promovimin e artit operistik dhe po punon në realizimin e shfaqjes operistike të planifikuar për vitin 2023, si dhe programin Edu-OPERA.

/ata.gov.al