Enti Kombëtar i Banesave ka përcaktuar çmimet mesatare të shitjes së banesave në treg, sipas zonave kadastrale për njësitë e vetëqeverisjes vendore.
Vendimi është publikuar në Fletoren Zyrtare.
Çmimet e përcaktuara nga EKB do të shërbejnë si referencë për të vlerësuar nëse vendoset të blihen banesa apo të ndërtohen banesa sociale në njësitë vendore, si dhe për përcaktimin e kufirit të dhënies së kredive të zbutura nga shteti.
Referuar tabelës së publikuar, në Tiranë çmimi mesatar i shitjes në tregun e lirë është 124 316 lekë për metër katror. Bashkia e Tiranës është e ndarë në disa zona kadastrale për të cilat janë përcaktuar çmimet mesatare. Në njësinë administrative Farkë, çmimi mesatar është përcaktuar 157 mijë lekë për metër katror, në Dajt përcaktohet 82 289 lekë për metër katror.
Në bashkinë e Durrësit, çmimi mesatar i shitjes përllogaritet 71 157 lekë për metër katror. Në Ishëm çmimi mesatar përcaktohet 93 mijë lekë për metër katror.
Në bashkinë Vlorë, çmimi mesat është përllogaritur 68 680 lekë për metër katror. Në Dhërmi çmimi mesatar është përcaktuar 186 400 lekë për metër katror.
Në Sarandë çmimi mesatar përcaktohet 88 050 lekë për metër katror; Në bashkinë e Fierit, çmimi mesatar i shitjes është 55 375 lekë për metër katror.
Referenca: ata.gov.al