Restaurohet banesa “monument kulture” e familjes Bojaxhiu në Berat

38

Në qytetin e Beratit vijon puna për restaurimin e banesave ‘monument kulture’ , të cilat gjithnjë e më shumë janë në vëmendjen e specialistëve të këtyre monumenteve.

Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtar Berat bën të ditur se “aktualisht po punojmë në restaurimin e banesës së familjes Bojaxhiu në lagjen “Kala””.

“Po kryhen punimet për prishjen e suvatimit të dëmtuar të fasadës, heqjen e pareteve të dërrasës së murit çatma, të cilat janë të amortizuara nga lagështia. Marrja e masave për restaurimin e dritareve, kolonave të qoshes si dhe fashaturave horizontale”, – thekson DRKK Berat.

Sipas DRKK, paralelisht po punohet për restaurimin e portës dhe bërjen e çatisë së portës së re duke ruajtur modelin ekzistues.

Ndërkohë që po këtë muaj një tjetër monument i shpëtuar pas ndërhyrjes restauruese është edhe banesa e familjes Jani Stavri në lagjen “Goricë”, falë bashkëpunimit të DRTK-Berat dhe CHWB-Albania.

Arkitektura unikale e banesave në Berat duket se i përket kryesisht fazës ndërtimore të shek. XVIII-XIX me ndërthurjen e elementëve të gurit me atë të drurit.

Kompaktësia e ndërtimeve, lidhja e përkryer e tyre me truallin ku vendosen dhe pamja pak a shumë e njëjtë arkitekturore, i bëjnë këto banesa një prej pikave më tërheqëse në tërësinë e vlerave të qendrës historike të Beratit.

Zona e Kalasë ka fortifikime guri që nga gjysma e parë e shekullit të 4-t. Në kohët e lashta ai ishte i njohur si Antipatreja Berat, një qytet i fortifikuar që ka arritur t’u rezistojë legjioneve romake të së kaluarës.